Kur lindi dinastia “Marubi”

12/09/2016 00:00

Tri brezat e fotografëve shqiptarë Marubi kanë zënë një vend të veçantë në prestigjiozen “Financial Times”, e cila i ka dedikuar historisë së fotografisë shqiptare një artikull special.

Media britanike e nis shkrimin me historinë e italianit Pietro Marubi, i cili në vitin 1850, për t’i shpëtuar pushtimit të Perandorisë Austro-Hungareze, emigroi në Shkodër, ku edhe themeloi biznesin e tij, në atë kohë të quajtur “Foto Studio Marubi”.

Me kalimin e kohës, kur edhe interesi për fotografinë nisi të rritej e bashkë me të edhe biznesi i themeluesit Pietro Marubi, ky i fundit vendosi të punësojë një asistent, Kel Kodhelin, i cili pas ndarjes nga jeta të Marubit ndryshoi emrin e tij në Kel Marubi, duke marrë në duar drejtimin e studios.

Pas Kel Marubit, pasioni për fotografinë u trashëgua nga djali i tij Gegë, i cili çoi më tej këtë biznes. Të tre këto breza marrin një vëmendje të veçantë në artikullin e “Financial Times”, e cila shkruan se “koleksioni i fotografive Marubi përbëhet nga më shumë se 150 mijë negativë qelqi, fryte të tri brezave të fotografëve. Si disa nga shembujt më të hershëm të fotografisë shqiptare, këto negative janë dëshmi e historisë së pasur kulturore dhe politike të Shqipërisë, duke nisur që nga Perandoria Osmane, e deri te periudha komuniste”, shkruan “Financial Times”.

Marubi do të marrë edhe një vëmendje të veçantë në Muzeun e Fotografisë “FOAM” në Amsterdam, që në datën 16 shtator do të çelë në nder të kësaj dinastie, ekspozitën “Njëqind vite të fotografisë së studios shqiptare”, ekspozitë e cila do të qëndrojë e hapur deri në datën 27 nëntor.

Top Channel