Nesër hapen shkollat, 27 mijë nxënës për herë të parë në banga

12/09/2016 00:00

Të martën nis procesi mësimor për sistemin parauniversitar. 27 mijë nxënës ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla bashkë me një grup mësuesish kanë përcjellë një mesazh urimi për të gjithë nxënësit, mësuesit dhe edukatoret.

“Nesër është një ditë e veçantë për 27 mijë vogëlushë që nisin rrugëtimin me dijen, për 392 mijë djem e vajza që i drejtohen shkollave dhe për 30 mijë mësues e edukatorë. Bashkohem dhe unë me disa kolegë për t’ju uruar suksese”, tha Nikolla.

Në këtë fillimviti shkollor, ministrja Nikolla u zotua për më shumë përkujdesje për fëmijët jetimë, ata me aftësi të kufizuara, fëmijët romë dhe ata egjiptianë.

Ndërkohë që për gjimnazistët u shpreh për një orientim më të mirë drej studimeve të larta dhe lehtësim të ngarkesës mësimore.

“Ju që filloni klasën e dhjetë do të filloni edhe kurrikulën e gjeneratës tjetër, që lehtëson ngarkesën nga 18 në 13 lëndë mësimore, që promovon gjuhën tonë shqipe dhe vendos lidhjen e munguar mes gjimnazit dhe arsimit të lartë”, tha Nikolla.

Për vitin e ri shkollor janë rikonstruktuar 126 shkolla dhe 155 mijë nxënës do të mësojnë me tekste të reja të unifikuara me sistemet arsimore europiane.

Top Channel