Vera Isaku, tashmë edhe piktore

12/09/2016 00:00

Vera Isaku nuk e quan veten piktore. Jeta e saj profesionale është sjellë mes gazetarisë dhe shkrimeve. Por ndjeshmëria për estetikën ka qenë gjithmonë e pranishme në karakterin e saj të trazuar.

“Unë s’jam e qetë. Këto (femrat në pikturë) janë të qeta. Kam nxjerrë këtë konkluzion, përmes të cilit i kundërvihem realitetit me këtë trajtë”, tha Vera Isaku.

Të nisësh të pikturosh në moshën 50-vjeçare nuk është e zakontë. Më shumë se të tjera ka qenë nevoja e saj për të gjetur ngushëllim nga jeta e zymtë që kishte në Bratislavë. Por që udhëtimet drejt Vjenës i jepnin shije ditëve të saj të etura për art.

“Mua më pëlqen t’i shoh kështu zonjat. Nuk para ndesh të tilla. Jeta e grave në Shqipëri është shumë e rënduar”, thotë më tej shkrimtarja Vera Isaku.

Misteri në portrete, qetësia dhe ngjyrat e theksuara në peizazhe janë shpirti që Vera Isaku kërkon. Këtu ajo gjen prehje nga shqetësimet që i kanë lënë gjurmë.

“Këtu është një fshat austriak dhe unë që vija nga Shqipëria me shumë kaos, sepse vendi ynë është në kaos, patjetër që do të më tërhiqte një gjë e tillë”, deklaron Vera Isaku.

Profesionalisht ajo ka qenë njeriu i ekstremeve dhe, nëse i duhet të bëjë një rezyme dhe të kthejë kokën pas, ndihet e kënaqur me shkrimet dhe punën që ka lënë.

“Unë jam shumë e kënaqur që ndryshoi Shqipëria e asaj kohe, për të cilën edhe kam kontribuar. Nga ana tjetër, Shqipërinë e shoh në kaos”, shprehet shkrimtarja.

Top Channel