Përdhunohet se konsumoi mish viçi

12/09/2016 00:00

Një grua indiane denoncoi sulmin e një grupi kriminal që kishin përdhunuar atë dhe kushërirën e saj 14-vjeçare, ndërsa vranë edhe dy të afërm të tyre, pasi u akuzuan si myslimanë që konsumuan mish viçi.

Gruaja 20-vjeçare tha se përdhunuesit ishin një grup prej 4 vetash dhe se është sulmuar dy javë më parë në shtëpinë e saj në shtetin verior të Haryanas, edhe pse ajo mohon të ketë konsumuar mish viçi. Sipas saj, grupi kishte rrahur për vdekje xhaxhain dhe hallën në shtëpinë e ndodhur në Mewat, përpara se të nisnin sulmin seksual.

Shumë hindu i konsiderojnë lopët të shenjta dhe masakrimi i kësaj kafshe është i ndaluar me ligj në disa shtete, përfshi Haryanan. Të dyshuarit janë arrestuar dhe akuzohen për përdhunim e vrasje.

Gjithsesi, policia u ka thënë reporterëve se nuk ekziston asnjë provë që të tregojë se grupet e mbrojtjes së lopëve janë përfshirë në këtë sulm.

Edhe pse përdhunimi i pretenduar ka ndodhur dy javë më parë, lajmi për këtë incident është bërë publik vetëm tani.

“Të akuzuarit na thanë se ne kishim konsumuar mish lope dhe kjo ishte arsyeja pse po sulmoheshim seksualisht. Ata madje më kërcënuan se do të më vrisnin, mua dhe familjen time, nëse ne do i tregonim dikujt se çfara na kishte ndodhur”, tha gruaja për filialin “BBC Urdu”.

Rajoni Mewat i dominuar nga myslimanët, rreth 100 km larg kryeqytetit Delhi, ka zënë shpesh herë titujt kryesorë të mediave, pasi një zyrtar i lartë u tha reporterëve se policia duhej të kontrollonte vendet ku ruhej mishi i deleve, për t’u siguruar se nuk është mish lope. Sulmi i fundit ka shtuar tensionet në vend.

Top Channel