Kurban Bajrami, nëpër botë. Në Irak, ISIS e shtyn për të martën festën

12/09/2016 00:00

Gati 1.6 miliardë myslimanë në mbarë botën kremtojnë sot Kurban Bajramin, që nderon gatishmërinë e Ibrahimit për të flijuar të birin, si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit.

Në këtë ditë të rëndësishme të kalendarit islam, familjet mblidhen në lutje e dëgjojnë predikimet në xhami.

Në shumë vende, tradita kërkon që njerëzit në këtë ditë feste të veshin rrobat e tyre më të mira, të vizitojnë të afërmit e, sipas mundësive, të flijojnë një kafshë, zakonisht dele apo dhi, mishi i së cilës ndahet në tri pjesë.

Familja mban një të tretën, një e treta tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët, ndërsa pjesa e mbetur shkon për të varfrit dhe nevojtarët.

Në Filipine, dita e Kurban Bajramit u shpall festë kombëtare me qëllim forcimin e marrëdhënieve mes minoritetit mysliman dhe shumicës së krishterë.

Njerëzit kanë vërshuar në blerje në Irak, ndërsa burime lokale në provincën Nineveh thonë se ISIS-i e ka shpallur të martën ditën e parë të festës, duke shkaktuar zemërim mes banorëve të Mosulit.

Në Pakistanin e varfër, ku të ardhurat vjetore për kokë janë 1.500 dollarë, shumica e njerëzve nuk e blejnë dot vet një kafshë për ta flijuar, ndaj familjet kanë nisur të bashkojnë paratë e të ndajnë mes tyre koston dhe mishin e një lope, që rezulton më ekonomike.

Edhe pse ky kremtim njihet zakonisht si koha e shpenzimeve të mëdha, shumë myslimanë këtë vit duket se do ta rrudhin dorën në shpenzime, thotë “The Time”. Rënia e çmimit të naftës ka detyruar edhe sauditët e pasur të harxhojnë më pak se zakonisht.

Top Channel