Hoxhaj takon Mogherinin në Bruksel: Më shumë presion ndaj Serbisë

12/09/2016 00:00

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka nisur një vizitë dyditore në Bruksel dhe Strasburg. ku do të zhvillojë takime me krerët më të lartë të institucioneve të BE-së dhe Këshillit të Europës.

Takimin e parë, ministri Hoxhaj e ka zhvilluar me përfaqësuesen për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në BE, Frederica Mogherini, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet më të fundit politike në Kosovë, sfidat rajonale, liberalizimin e vizave dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian.

Hoxhaj është shprehur të ketë marrë mbështetje të fuqishme politike nga BE-ja për Kosovën, institucionet e saj dhe zhvillimin e dialogut me Serbinë. Por sipas tij, BE-ja duhet të bëjë presion ndaj Serbisë, që t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara dhe të kushtëzojë progresin e mundshëm të saj në rrugën europiane me njohjen e Kosovës.

“Zhvillova një takim shumë të mirë dhe përmbajtësor me shefen e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së, Federica Mogherini. Diskutuam për shumë çështje të zhvillimeve politike jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, si dhe raportet mes Kosovës dhe BE-së pas nënshkrimit të MSA-së. Theksova nevojën për më shumë presion ndaj Serbisë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe kushtëzim në rrugën e saj europiane, nëse vazhdon të ketë qasje bllokuese ndaj Kosovës. Pa një afat përfundimtar mbi dialogun dhe zbatimin e marrëveshjeve, vështirë të flasim për progres dhe normalizim të mirëfilltë” ka thënë ministri Hoxhaj.

Temë tjetër diskutimi ka qenë edhe çështja e votimit të demarkacionit me Malin e Zi, për të cilën është shprehur gatishmëria dhe vullneti i plotë që ka Qeveria e Kosovës, për ta realizuar sa më parë këtë. Hoxhaj pritet të takohet edhe me komisionerin për Zgjerimin Johannes Hahn, komisionerin për Punët e Brendshme, Dimitris Avramopoulos, zëvendësekretarin e Përgjithshëm e të NATO-s dhe shumë eurodeputetë.

Top Channel