Turqia shkarkon të zgjedhurit, emëron administratorë në 24 bashki kurde

12/09/2016 00:00

Turqia emëroi administratorët e rinj në 24 bashki të drejtuara prej kurdëve gjatë së dielës, pasi shkarkoi kryebashkiakët e zgjedhur nga populli për shkak të dyshimeve për lidhje me militantët kurdë, duke shkaktuar kështu protesta në rajonin e saj të trazuar juglindor, në kufi me Sirinë dhe Irakun.

Policia përdori ujëhedhëset dhe gazin lotsjellës për të shpërndarë demonstruesit jashtë ndërtesës bashkiake në Suruç, në kufi me Sirinë, ndërsa administratori i ri mori detyrën. Protesta në përmasa më të vogla ka pasur edhe në zona të tjera të qytetit.

Shqetësime e trazira ka pasur edhe në qytetin kryesor të rajonit juglindor, Diyarbarkir, si dhe në provincën Hakkari, pranë kufirit me Irakun, ku policia u desh të hynte në ndërtesën bashkiake për të shpalosur një flamur të madh të Turqisë, e duke hequr flamujt e bardhë të qeverisë lokale që valëvitej deri në ato momente.

Presidenti Tayyip Erdogan tha gjatë javës së kaluar se, fushata kundër militantëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), të cilët prej 3 dekadash po zhvillojnë kryengritjen më të madhe për autonominë e Kurdistanit, konsiderohet tashmë më e madhja në historinë e Turqisë. Heqja e krerëve të shërbimit civil të zgjedhur dhe zëvendësimi i tyre me të emëruar është gjithashtu pjesë e kësaj lufte.

Deri më tani, 24 bashkitë drejtoheshin nga njerëz të Partisë Demokratike Popullore opozitare (HDP), një parti prokurde, e cila rezulton të jetë edhe e treta në Parlamentin turk, e cila nga ana e saj mohon lidhjet e drejtpërdrejta me militantët. HDP-ja e denoncoi këtë lëvizje si një “grusht administrativ”.

“Asnjë shtet demokratik nuk mundet të lejojë kryebashkiakët dhe parlamentarët të përdorin burimet financiare bashkiake për të financuar organizatat terroriste”, tha ministri i Drejtësisë, Bekir Bozdag. “Të jesh një drejtues i zgjedhur nuk do të thotë të kesh marrë licencën për të kryer krime”.

Beteja e Turqisë kundër PKK-së nisi, këtë herë me një intensitet edhe më të madh, pas shkeljes së armëpushimit gjatë vitit të kaluar, e sidomos për shkak të frikës se grupet kurde në luftën civile siriane, tepër të suksesshme ndaj ISIS-it, mund të kërkojnë më tej formimin e enklavës autonome kurde në kufirin turk.

Në mesazhin që shënonte edhe urimin për Kurban Bajramin, Erdogan tha se PKK-ja është përpjekur të përshkallëzojë sulmet që prej grushtit të dështuar të shtetit në korrik, dhe se po tentojnë të pengojnë operacionet ushtarake turke në Siri.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Turqi shprehu shqetësimin në lidhje me raportet mbi përplasje të reja në juglindje, por tha se ndërsa mbështet të drejtën e Turqisë për të luftuar terrorizmin, është po ashtu e rëndësishme të respektohet e drejta për protesta paqësore.

“Shpresojmë që emërimi i të besuarve të qeverisë do të jetë i përkohshëm dhe se qytetarët e atij rajoni të lejohen së shpejti të zgjedhin zyrtarët e rinj lokalë, bazuar në ligjin turk”, thuhet në deklaratën e Amerikës.

Top Channel