Clinton anulon udhëtimin në Kaliforni, shkak pneumonia

12/09/2016 00:00

Një ditë pasi nuk u ndie mirë dhe u largua më shpejt nga ceremonia e zhvilluar për nder të viktimave të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork, kandidatja demokrate për Presidencën amerikane, Hillari Clinton anuloi një udhëtim fushate në Kaliforni.

Mjekët e kanë diagnostikuar ish-Sekretaren e Shtetit me pneumoni. Në fakt, ekipi i saj thotë se diagnoza është përcaktuar që të premten dhe 68-vjeçares i janë dhënë antibiotikë.

Incidentin e së dielës, ndihmësit e saj ia faturojnë të nxehtit mbytës në “Ground Zero” gjatë ceremonisë përkujtimore të ngjarjes tragjike dhe gati 3.000 jetëve të humbura 15 vite më parë. Në ideon e publikuar pak pas episodit, që ngjalli menjëherë spekulime mbi shëndetin e Clintonit, politikanja shihet duke u mbështetur te truprojat, të cilët e shoqërojnë në minibusin e saj për ta dërguar në apartamentin e së bijës aty pranë.

Më vonë, Clintoni u tha reporterëve se ndihej shumë mirë, duke lënë të kuptohej se nuk bëhet fjalë veçse për një problem të momentit. Nuk binden, ndërkohë, kundërshtarët republikanë, të cilët e kanë vënë edhe më përpara në dyshim mirëqenien e saj fizike.

Kandidati për president, Donald Trump, muajin e kaluar u tha simpatizantëve të tij se Clintonit i mungon qëndrueshmëria mendore dhe ajo fizike për të shërbyer si presidente e Shteteve të Bashkuara e për të luftuar militantët e Shtetit Islamik.

Në vitin 2012, ish-Zonja e Parë iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale pas një tromboze, por sipas mjekut personal e mori veten plotësisht dhe sot është në gjendje jashtëzakonisht të mirë shëndetësore.

Top Channel