Presidenti u uron besimtarëve myslimanë festën e Kurban Bajramit

12/09/2016 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u ka uruar besimtarëve myslimanë festën e Kurban Bajramit.

“Me rastin e kësaj Feste të madhërishme të Sakrificës dhe Dhurimit, e cila na frymëzon për t’iu gjindur sa më shumë njëri-tjetrit, për të ndihmuar dhe ndarë pasurinë e mirësinë me më të pafatët, për t’i lumturuar fëmijët me dhurata e për t’u përkujdesur për më nevojtarët, duke sakrifikuar diçka apo gjithçka në frymën e besimit tek Zoti i Plotfuqishëm, dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta! Sivjet, këtë Kurban Bajram e festojmë menjëherë pas ngjarjes historike për kombin tonë, për shqiptarët anembanë botës: shenjtërimit të Nënë Terezës, shembulli i së cilës mishëron dhe frymëzon bamirësinë, kujdesin dhe respektin për më të vuajtuarit, më të pafatët, për të sëmurët e të pamundurit, në kuadër të harmonisë dhe bashkëjetesën paqësore mes njerëzve me besime dhe origjinë të ndryshme”, lexohet në mesazhin e Presidentit.
 
“Në cilësinë e Kreut të Shtetit ju uroj nga zemra të gjithëve sa më shumë begati, paqe, mbarësi dhe vëllazëri me njëri-tjetrin! Gëzuar Festën e shenjtë të Kurban Bajramit! Gëzuar dhe për shumë vjet këtë Festë të mrekullueshme dhe kuptimplotë të sakrificës njerëzore!”

Top Channel