SHBA kujton 11 Shtatorin, Obama: Terrori nuk na mposht dot

11/09/2016 00:00

Me kalimin e viteve turmat janë zvogëluar, por shumë nga familjarët e 3 mijë viktimave të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001, u mblodhën në vendin ku dikur ngrihej Qendra Botërore e Tregtisë për të nderuar kujtimin e njerëzve të dashur që humbën atë ditë të kobshme.

Ceremonia solemne nisi me një tingëllimë këmbane në  08 e 46 minuta, ora e përplasjes së avionit të parë, e më pas pati një moment heshtje.

Në të njëjtën mënyrë e kujtoi edhe Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë çastin që do të rrënjosej thellë në kujtesën dhe ndërgjegjen e Amerikës. Në këtë 15-vjetor, presidenti mbajti nje fjalim në shërbesën përkujtimore të zhvilluar në Pentagon.

“Tre mijë jetët e bukura të shuara atë ditë nuk do të harrohen kurrë. Grupe si Al Kaeda apo ISIS-i e dinë që nuk do të jenë asnjëherë në gjendje të mposhtin një komb të madh si Amerika, ndaj përpiqen të mbjellin terror me shpresën se do të na frikësojnë aq sa të hidhemi kundër njëri-tjetrit. Në fund, nderimi më i mirë që mund t’u bëjmë atyre që humbëm është të sigurohemi se do t’u qëndrojmë besnikë vlerave tona e të mos i lejojmë të tjerët të na përçajnë”, deklaroi Presidenti Obama.
 
Në “Pikën Zero” ishin të pranishëm që të dy kandidatët e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, demokratja Hillary Clinton dhe republikani Donald Trump. Clinton, që nuk u ndje mirë gjatë eventit, e sipas disa raporteve në mediat vendase, në shesh i ka rënë të fikët, kujtoi më herët në një intervistë ekskluzive për CNN-in përjetimin e asaj dite, të cilën e përshkroi si “gjënë më të afërt me ferrin” që kishte parë ndonjëherë.

Ceremonisë nuk i mungoi si çdo vit leximi i emrave të 2.977 personave të vrarë në 2001-shin dhe 6 të tjerëve që humbën jetën në të njëjtin vend nga bomba e vitit 1993.

“Përsëritja e emrave ndihmon që kujtimi i tyre të mbahet gjallë”, tha për “USA Today” 73-vjeçari Tom Meehan, i cili humbi 15 vite më parë vajzën e tij 26-vjeçare. Ajo ndodhej në kullën veriore.

Ndërkohë, ka njerëz si Peter Bitëinski, që nuk mungojnë në asnjë ceremoni.

“Do të jem këtu për sa kohë të kem fuqi të eci”, thotë llogaritari 63-vjeçar, që arriti të dalë nga Qendra Botërore e Tregtisë 13 minuta përpara se ajo të shembej.

“Jam me fat që shpëtova, por për kujtimin e të gjithë atyre që nuk ia dolën dot, është shumë e rëndësishme për mua të vij këtu e t’u bëj nderimin tim”, thotë ai.

Top Channel