Falimentimi i 126 bizneseve, Tatimet dorëzojnë listën në Gjykatë

11/09/2016 00:00

Tatimet i kanë dorëzuar gjykatës një listë prej 126 biznesesh që duan të mbyllin aktivitetin. Kompanitë që kanë shpallur falimentin ushtrojnë aktivitetin e tyre në të gjithë vendin, ndërkohë që mes tyre spikasin edhe emrat Taci Oil dhe City Park.

Kërkesë për faliment ka edhe nga Klubi i Futbollit të Elbasanit.

Vlora ka nurmim më të madh të bizneseve që kanë mbyllur aktivitetin, me 36 subjekte, kurse Durrësi renditet në vendin e dytë me 27 shoqëri. Në kryeqytet numërohen vetëm 6 subjekte të cilat kanë shpallur falimentin.

Sipas ligjit aktual, Tatimet kërkojnë në gjykatë fillimin e procedurës së falimentimit për tatimpaguesit 2 vjet pas kalimit në statusin pasiv nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, kur detyrimi tatimor është deklaruar i pambledhshëm, apo kur deklarojnë rezultat me humbje të kapitaleve të veta për të paktën 3 vite rresht.

Po ashtu faliment kërkohet kur nuk kanë kryer veprimtari tregtare, ose nuk kanë paguar taksat prej 2 vitesh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Për të lehtësuar këto procedura, në Parlamet po diskutohet një ligj i ri për falimentin.

Top Channel