Fshati Shipskë është pak kilometra larg Voskopojës dhe rruga për të mbërritur deri atje është e vështirë, por duket se të gjithë ata të cilët kanë lidhje me fshatin, nuk arrijnë të shkëputen përfundimisht asnjëherë.

Në hyrje të fshatit ortodoks gjendet kisha e vjetër e Shën Gjergjit, një pasuri e vërtetë e trashëgimisë kulturore.

Pavllo Belba, i cili prej 25 vitesh jeton në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe pse në këtë fshat ka kaluar vetëm pushimet e verës kur ishte fëmijë, tregon se nostalgjia është e madhe dhe Shipska është fshati që banorët nuk e braktisin asnjëherë

Në fshat nuk ka shkollë, mjek e as infermier, por mbi të gjitha nuk dëgjon zëra fëmijësh. Por për ata që jetojnë këtu, fshati ofron gjithçka dhe asgjë. Burrat thuajse nuk i gjen sepse janë ngjitur në mal me bagëtitë pasi blegtoria është e vetmja mënyrë jetese, ndërsa për gratë është momenti më i ngarkuar me punë pasi po bëjnë gati zahiretë e dimrit.

Secili nxiton për të siguruar çdo gjë para se dimri i ashpër dhe bora të arrijnë 1.5 m trashësi.

Megjithatë, në këtë fshat ku jetesa është e vështirë, çdo banor ka nisur të ndërtojë shtëpinë, dikush e ka përfunduar e dikush do ta përfundojë sepse ata që i kanë rrënjët këtu nuk arrijnë ta braktisin asnjëherë.

Top Channel