Të martën nis shkolla. Nxënësit, në përgatitjet e fundit

11/09/2016 00:00

Na ndajnë vetëm pak ditë nga viti i ri shkollor dhe mes nxënësve ndihen ethet e para. Më të emocionuar duket se janë më të vegjlit.

“Parapërgatitem për matematikën më shumë, por mezi e pres shkollën. I kam marrë librat dhe po bëhem gati”, thotë Endi Spiri, nxënës.

Kurse Klevi Çobo, 12 vjeç, hidhet këtë vit në klasë të shtatë. Klevi interesohet për librat në pikën e shitjes pranë shkollës ku mëson, “Emin Duraku”.

“Lëndët që më pëlqejnë më shumë janë matematika, biologjia, gjuha. Kam ardhur këtu vetëm, sepse jam i rritur dhe nuk kam nevojë të vij me prindërit”, thotë nxënësi Klevi Çobo.

Ndryshe nga Klevi, Milkën e shoqëron e ëma.

“Kemi marrë librat, fletoret dhe mbështjellëset. Nuk kam emocione, por më ka marrë malli për klasën”, thotë Milka Zakja, nxënëse.

E si çdo fillimviti shkollor, ata që mbajnë peshën më të madhe janë prindërit, të cilët përpiqen të bëjnë më të mirën për t’u siguruar gjithçka fëmijëve të tyre.

“Prindërit e kanë merakun, sepse duhen sistemuar, rregulluar e kompletuar me çanta, libra, fletore e mjetet e nevojshme. Shpenzimet shkojnë te 10 mijë lekë apo edhe më tepër. E kushtueshme është, sepse vetëm librat kanë bërë 4.700-4.800 lekë”, thotë Magdalena Hakani, prind.

Top Channel