Nikolla: Të gjithë aplikuesit në shkollë, më shumë kuota se maturantë

11/09/2016 00:00

Kur ka përfunduar procesi i ankimimit të maturantëve, të cilët nuk u renditën fitues dhe pretendonin se përllogaritjet e pikëve të tyre ishin bërë gabim, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla deklaroi se gjithçka ka qenë transparente, pasi edhe numri i ankimimeve ka qenë i vogël.

“Rezulton se kemi vetëm 287 ankimime në 475 mijë aplikime. E thënë ndryshe, vetëm një në 1.655 aplikime ka ankimuar”, u shpreh ministrja Nikolla.

Regjistrimi i fituesve të raundit të parë nis të martën e 13 shtatorit dhe atyre u lihet kohë një javë, për të nisur më pas aplikimi i raundit të dytë për maturantët që nuk u renditën në listën e fituesve.

“Raundi i parë mundësoi që më të mirët të zgjedhin të parët. Por edhe për të gjithë të tjerët mundësoi një pamje reale, të qartë, për ta bërë meritën dhe preferencën tuaj fituese. Ndaj ju keni sërish në dispozicion 10 preferenca, që padyshim mund të jenë edhe të reja”, vijoi më tej ministrja Lindita Nikolla.

Ministrja e Arsimit beson se, sipas meritës, të gjithë aplikuesit do të kenë mundësi të vijojnë studimet e larta.

“Rikujtoj që institucionet e arsimit të lartë kanë shpallur 24.915 vende studimi. Kjo shifër i referohet universiteteve publike në vend. Ndërkohë që aplikantë për universitetet publike të fazës së parë janë gjithsej 22 mijë”, deklaroi Lindita Nikolla.

Pasi të shpallen fituesit e raundit të dytë, do të jenë Sekretaritë e fakulteteve që do të bëjnë plotësimin e vendeve të mbetura bosh, duke zhvendosur vizën e kuqe sipas renditjes së mesatares.

Top Channel