Amerika përkujton viktimat e 11 shtatorit

11/09/2016 00:00

Me kalimin e viteve turmat janë zvogëluar, por shumë nga familjarët e 3.000 viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 u mblodhën në vendin ku dikur ngrihej Qendra Botërore e Tregtisë, për të nderuar kujtimin e njerëzve të dashur që humbën atë ditë të kobshme.

Ceremonia nisi me një rënie kambanash kur ora lokale shënoi 8:46, ajo e përplasjes së avionit të parë, e pas kësaj pati një moment heshtjeje. Në të njëjtën mënyrë e kujtoi edhe Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë, çastin që do të rrënjosej thellë në kujtesën dhe ndërgjegjen e Amerikës. Në këtë 15-vjetor, presidenti do të mbajë një fjalim në shërbesën përkujtimore që zhvillohet në Pentagon.

“15 vite më parë, një ditë shtatori – që filloi si çdo ditë tjetër, – u bë një nga më të errëtat në historinë e vendit tonë”, u shpreh më herët ai, në fjalimin e vet të përjavshëm.

“Rreth 3.000 jetë të pafajshme humbën atëherë, – tha presidenti. – Ishin të profesioneve të ndryshme, u përkisnin racave dhe besimeve të ndryshme fetare, nga e gjithë Amerika dhe nga vende të tjera të botës. Shumë gjëra kanë ndryshuar në këto 15 vite, por e rëndësishme është të kujtojmë se, çfarë kanë mbetur të pandryshuara janë vlerat thelbësore që na përcaktojnë ne si amerikanë”, tha presidenti.

Në pikën zero (Ground Zero) ishin të pranishëm që të dy kandidatët e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, demokratja Hillary Clinton dhe republikani Donald Trump.

CNN e përshkruan 11 shtatorin si “ditën që nuk mbaroi kurrë”. Ceremonisë nuk i mungoi si çdo vit leximi i emrave të 2.977 personave të vrarë në 2001-shin dhe 6 të tjerëve që humbën jetën në të njëjtin vend nga bomba e vitit 1993.

“Përsëritja e emrave ndihmon që kujtimi i tyre të mbahet gjallë”, tha për “USA Today” 73-vjeçari Tom Meehan, i cili humbi 15 vite më parë vajzën e tij 26-vjeçare. Ajo ndodhej në kullën veriore.

Ndërkohë, ka njerëz si Peter Bitwinski, që nuk mungojnë në asnjë ceremoni. “Do të jem këtu për sa kohë të kem fuqi të eci”, thotë llogaritari 63-vjeçar, që arriti të dalë nga Qendra Botërore e Tregtisë 13 minuta përpara se ajo të shembej. “Jam me fat që shpëtova, – shprehet ai, – por për kujtimin e të gjithë atyre që nuk ia dolën dot, është shumë e rëndësishme për mua të vij këtu e t’u bëj nderimin tim”.

Top Channel