Barcelona shokohet nga Alaves në “Camp Nou”, Reali me 3 pikë më shumë

11/09/2016 00:00

E bujshme, por ja që ndodh. Edhe Barcelona mund të mposhtet. E këtë gjë e pëson jo nga një rival i të njëjtit nivel, por nga të sapoardhurit në “La Liga”, Alaves, për më tepër në “Camp Nou”.

Edhe pse me Messin dhe Suarezin në fushë në 30 minutat e fundit të ndeshjes, katalanasit janë dorëzuar përballë dy “shkëndijave” të Deyverson dhe Ibai Gomez, pas një pjese të parë për t’u harruar dhe barazimit të përkohshëm në fillim të pjesës së dytë me anë të Mathieu.

Luis Enrique pëson kështu humbjen e parë sezonale dhe që tani e sheh Realin e Madridit me 3 pikë më shumë, edhe pse shpresonte shumë që të rigjente treshen e “makinerisë” së golave “MSN”. Messi, Suarez e Neymar duken ende larg formës së vitit të kaluar, kjo edhe për shkak të qëndrimit për 4 muaj larg njëri-tjetrit, si pasojë e pushimeve, Olimpiadës, por edhe ndeshjeve të kombëtareve të tyre respektive, Argjentinës, Uruguajit dhe Brazilit.

“Blaugranat” e nisën “me frena dore” dhe pas 30 minutash zotërim topi që rezultoi bosh, u ndie mungesa e Suarezit dhe Messit, të dy në pankinë si fillim, pavarësisht se Neymar ishte në fushë. Ishte pikërisht Vidal që rrezikoi dy herë për katalanasit, por ishte Alaves që ktheu në gol rastin e parë të ofruar pas kombinimit Femenia-Deyverson. Në minutën e 38 “Camp Nou” heshti.

Me të filluar pjesa e dytë, një goditje perfekte me kokë e Mathieu pas topit të ardhur nga goditja e këndit riktheu shpresat për Barçën, por ishte sërish Alaves që shënon pas kundërsulmeve, fillimisht me një gol të anuluar për pozicion jashtë loje të dyshimtë, e më pas hesht sërish vendasit në minutën e 63-të me Ibai Gomez, vetëm pak pasi në fushë kishin hyrë Messi dhe Iniesta.

Edhe pse Enrique hodhi në fushë edhe Suarezin për Alcacer, katalanasit nuk mundën të kthenin rezultatin në favor të tyre.

Top Channel