Shtabi Elektoral i PD-së: Shpërndarje parash dhe mielli te votuesit dibranë

11/09/2016 00:00

Shtabi Elektoral i Partisë Demokratike, me anë të një njoftimi për shtyp, ka bërë të ditur se, “ka marrë informacion për shpërndarjen e parave, thasëve me miell si dhe përpjekje për shantazhe ndaj votuesve gjatë natës së mbrëmshme nga disa grupe të strukturuara kriminale të drejtuara nga administratorë, kryepleq dhe drejtorë e zyrtare të administratës publike, nën mbrojtjen e një grupi punonjësish të policisë, të drejtuar nga kryekrimineli Bert Aga”.

“Kështu, banorët e Maqellarës kapën në mesnatë duke shpërndarë lekë për blerje votash zyrtarin e Drejtorisë së Tatimeve Artan Isaku, vartës i shtetasit Dionis Ymeri me detyrë Drejtor i Tatimeve për Dibrën. Dionis Ymeri është kallëzuar penalisht nga Partia Demokratike në prokurori më datë 1 shtator si anëtar i grupit të strukturuar kriminal për blerje votash në fushatën e Dibrës. Konkretisht, shtetasi Dionis Ymeri, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Dibër, është kallzuar në prokurori si personi përgjegjës i ngarkuar me detyrën e sigurimit të fondeve financiare për blerjen e votave. Në vend të ndalimit dhe arrestimit në flagrancë të këtyre personave, segmente të policisë të drejtuar nga kryekrimineli Bert Aga, i kanë dhënë mbështetje këtij krimi elektoral”, lexohet në njoftimin e PD-së.

Bert Aga është kallzuar penalisht nga Partia Demokratike më 1 shtator si anëtar kryesor i grupit të strukturuar kriminal i cili në abuzim të detyrës së shefit të Komisariatit të Peshkopisë ushtron presion ndaj zgjedhësve dhe ofron mbështetje logjistike dhe mbrojtje ekstraligjore për operacionin e shpërndarjes së parave në këmbim të votave. Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të nisë menjëherë procedimin penal për këtë grup të strukturuar kriminal të kallzuar nga Partia Demokratike që nga data 1 Shtator. Partia Demokratike i siguron qytetarët e Dibrës se nuk do të lejojë me asnjë çmim tjetërsimin e vullnetit të tyre nga bandat e Edi Ramës”, lexohet më tej në njoftim.

Top Channel