Basha: Dhunimi i biznesmenit libanez, akt mafioz

10/09/2016 00:00

Kryetari i PD, Lulzim Basha, në një reagim mbrëmjen e sotme e ka cilësuar si “sulm mafioz” dhunimin e biznesmenit libanez në rrugën që të çon drejt aeroportit të Rinasit, në Tiranë.

“Dhunimi mafioz sot në mes të ditës, në aksin kombëtar të Rinasit, i investitorit të huaj në një prej projekteve më të mëdha turistike në vend, që sjell zhvillim e vende pune, është dëshmia e gjallë e therrëse e sundimit të krimit e të bandave në vend”, ka deklaruar Basha.

Sipas tij, kjo është një shenjë e pastër e “krimit dhe bandave të Edi Ramës, që e kanë kthyer territorin në parajsën e kanabisit, që vendosin gjoba ndaj biznesit, që janë mbi ligjin dhe kanë mbështetjen e vazhdueshme qeveritare”.

“Goditja mafioze e investitorit, kërcënimi i tij me jetë nëse nuk largohet, është ngjarja më e rëndë që mund të ndodhë për ekonominë e rendin. E megjithatë, Edi Rama ka heshtur, ka mbyllur sytë, me një qëndrim njësoj kriminal”, ka vijuar Basha.

Ai ka shtuar se, “kjo dëshmon qartë se (kryeministri) është në krah të krimit, të bandave, të mafias dhe se ai vetë qëndron në krye të kësaj piramide”.

“Por kjo piramidë e krimit do të bjerë duke nisur nga nesër në Dibër. Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, ka thënë Basha.

Top Channel