Punimet tek sheshi “Skënderbej”, LSI letër Veliajt: Të zgjidhet problemit i trafikut

10/09/2016 00:00

Përfaqësuesit e LSI-së në Këshillin bashkiak të Tiranës u mblodhën këtë të shtunë për të diskutuar lidhur me problematikën e trafikut në sheshin “Skënderbej”, pas punimeve nga ana e Bashkisë.

Këshilltarët e kësaj partie vendosën që t’i dërgojnë një letër kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj; kryetarit të Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi dhe kryetarëve të grupeve për të kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për lehtësimin e trafikut dhe hapjen sa më parë të Unazës së Vogël të Tiranës.

Grupi i këshilltarëve shkruan se, “nga bllokimi i qarkullimit në sheshin “Nënë Treza” dhe përpara stadiumit “Qemal Stafa” është krijuar një gjendje alarmante që kërkon zgjidhje”.

Këshilltarët thonë gjithashtu se, “qytetarët janë të painformuar mbi projektin, ndërkohë që hapja e sezonit shkollor rëndon më shumë situatën”.

“Në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak  do të kërkohet informacion për situatën e krijuar”, thuhet në letrën e firmosur nga këshilltarët.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel