Gjumi, procesi që “përpunon” atë çka duam të mbajmë mend

10/09/2016 00:00

Një studim i fundit ka zbuluar se gjatë gjumit, eksperiencat të cilat i keni më për zemër kanë më shumë gjasa që të hyjnë në kujtesën tuaj afatgjatë.

Sipas BBC, eksperimenti është zhvilluar nga një grup specialistësh në Uells të Britanisë, të cilët u kanë mësuar fjalë në dialektin uellsian rreth 80 “të huajve” që jetojnë atje në një periudhë para ose pas gjumit.

Ata që fjetën treguan një aftësi të lartë për të mbajtur mend fjalët dhe rezultati ishte më befasues tek ata që kishin dëshirë të mësonin gjuhën.

Kjo tregon se eksperiencat e perceptuara si të rëndësishme i nënshtrohen një trajtimi “preferencial” nga truri gjatë orëve të gjumit.

Teksa është përcaktuar prej kohësh se gjumi ndihmon në konsolidimin e kujtesës, ky është studimi i parë që tregon se efekti i tij influencohet nga ato gjëra të cilat ju dëshironi t’i mbani mend.

Të dhënat e eksperimentit u publikuan të premten në Festivalin Britanik të Shkencës dhe së shpejti do të publikohen në një gazetë të posaçme.

Konkretisht, testi u krye mbi studentë autoktonë anglishtfolës, por që së fundmi kanë mbërritur në Uells dhe nuk kanë pasur njohuri mbi format gjuhësore lokale.

Top Channel