Veliaj “bashkiak” i Morinës, i çon ndihma shkollës 9-vjeçare

10/09/2016 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj udhëtoi këtë të shtunë për në Kukës, për të shpërndarë materialet bazë për shkollën “Gani Duraku” që ndodhet në këtë qytet.

Në këtë mënyrë, Veliaj i është përgjigjur kërkesës që drejtori i kësaj shkolle i kishte bërë atij për ndihmë, për shkak të gjendjes së mjerueshme të këtij institucioni arsimor 9-vjeçar.

Në Kukës, Veliaj u prit nga prefekti i qarkut, Liman Morina; drejtori i shkollës “Gani Duraku”, Osman Doçi; si dhe nga stafi i mësuesve dhe nxënësit, të cilët shkarkuan bashkarisht materialet duke i shpërndarë nëpër klasa.

“Duhet ta pranoj se ka qenë letra më e pazakontë që kam marrë në vitin tim të parë në punë. Shkolla “Gani Duraku” është shkolla e parë sapo kalon kufirin e Shqipërisë, kur vjen nga Kosova. Është mënyra se si përfaqësohet Shqipëria. Unë besoj se ndoshta nuk mund të kemi kushtet më moderne në kaq pak kohë, por ajo që mund të kemi është pak dinjitet në qytetet ku formohet Shqipëria e gjeneratës tjetër. Besoj se përpjekja jonë për të mbushur një kamion me nevojat bazike, dërrasa, tavolina, karrike, dyer, por edhe kompjutera, është pikërisht për të treguar se pavarësisht problemeve që kemi në Tiranë, ajo që na karakterizon është bujaria dhe ndihma për njëri-tjetrin”, tha Veliaj.

Top Channel