Derbi i Manchesterit, City triumfon në “Old Trafford”

10/09/2016 00:00

Manchester City fiton derbin e parë sezonal të qytetit, ndërsa Pep Guardiola bën të tijën betejën e radhës personale me kolegun e tij Jose Mourinho. Në impiantin e cilësuar ndryshe si “Teatri i Ëndrrave”, “qytetarët” arritën të fitojnë me rezultatin 2-1 ndaj rivalëve të United.

Ashtu siç pritej, “Old Trafford” u kthye në skenën e spektaklit të futbollit ku të dyja skuadrat shfaqën një ritëm të lartë në lojën e tyre. Manchester City ishte ekipi që gjatë pjesës së parë pati iniciativën në fushën e lojës dhe në minutën e 15 të besuarit e Guardiolës gjetën golin e avantazhit me De Bruyne.

Në një moment të sfidës pati një lloj tensioni mes Rooney dhe Guardiolës për një rivënie anësore, por që u zgjidh shumë shpejt, ndërkohë që në të 36-n minutë, Ienacho shënoi golin e dytë për “qytetarët”. Futbollisti 19-vjeçar dërgoi në portën e De Geas një top të kthyer nga shtylla pas gjuajtjes së De Bruyne.

Manchester United rihapi llogaritë e sfidës në minutën e 42 me Ibrahimovic që shfrytëzoi mjaft mirë një gabim të portierit Claudio Bravo. Pak çaste më vonë suedezi pati mundësi për të  barazuar shifrat, por fati nuk ishte me të.

Manchester United ndërroi fytyrë në 45 minutat e dytë kur Murinjo vendosi të aktivizojë Rashford dhe Herrerën. “Djajtë e kuq” gjatë kësaj pjesë ishin superiorë ndaj “citizens” dhe në një moment arritën të shënojnë me Rashford, por goli i talentit anglez u anulua për një pozicion jashtë loje të Ibrahimoviç.

Manchester United vijoi përpjekjet e tij ndërkohë që City vuante në fushën e lojës, por në fund rezultati mbeti 2-1 për “citizens” që e shohin veten me 12 pikë të plota.

Top Channel