Pelegrinazhi i Haxhit, mbi 1.5 milionë besimtarë nisin ritualin e përvitshëm

10/09/2016 00:00

Nën kushte të rrepta sigurie, në Mekë janë mbledhur më shumë se 1.5 milionë besimtarë nga e gjithë bota për të marrë pjesë në pelegrinazhin e Haxhit, një ritual i përvitshëm i kalendarit Islam. Pelegrinazhi shënon një nga 5 shtyllat e Islamit dhe është një nga tubimet fetare më të mëdha në botë.

Por në mesin e mijëra besimtarëve mungojnë shiitët iranianë, të cilët u ndaluan nga Arabia Saudite për të marrë pjesë në pelegrinazh për shkak të tensioneve midis Riadit dhe Teheranit. Konflikti i vjetër për çështje të ndryshme mes Iranit dhe Arabisë Saudite u përshkallëzua akoma më shumë në prag të Haxhit.

Pelegrinazhi i besimtarëve po zhvillohet në kushte të rrepta sigurie për të parandaluar tragjedi si ajo e një viti më parë ku humbën rreth 2.300 persona. Shumë qeveri i kanë kërkuar Arabisë Saudite të japë shkaqet e vërteta të hetimit për incidentet që kanë ndjekur pelegrinazhet ndër vite për shkak të turmave të pakontrolluara, por qeveria e Riadit e vetmja gjë që bën është se ul numrin e viktimave.

Për 14 shekuj, myslimanët mblidhen në Mekë për të ndjekur shembullin e profetit të tyre, Muhamedit.  E shtuna është dita e parë e Haxhit kur besimtarët i japin ujë kafshëve dhe rimbushin rezervat e ujit. Ndërsa ditën e diel që konsiderohet si pika kulmore e pelegrinazhit, ku besimtaret i drejtohen malit Arafat.

Top Channel