Regjistrimi në universitete, PD: Të anulohet procesi. Nikolla të japë dorëheqjen

10/09/2016 00:00

Partia Demokratike ka zhvilluar një takim me maturantët të cilët nuk kanë arritur të fitojnë të drejtën për të studiuar në universitet. Ata thanë se nuk janë njoftuar në kohë lidhur me procedurat.

“Të na kishin thënë që para 3 vitesh se si do funksiononte, zgjidhja do të ishte që të na thoshin ‘zgjidhni lëndët e lehta që të merrni nota të mira’; dhe ne sot do të ishim në fakultet. Por në fakt është krejt e kundërta. Prandaj le ta heqin këtë reformë ose të bëjnë ndryshime. Ata e dinë që ne duam shkollën”, tha një maturante.

Grida Duma dhe Ervin Salianji, dy përfaqësuesit e demokratëve bënë dy kërkesa specifike.

“Ne kërkojmë që ministrja Nikolla të japë dorëheqjen për paaftësi, që kryeministri dhe qeveria të marrin përsipër kostot e këtij kaosi që kanë shkaktuar dhe të anulojnë raundin e parë dhe të rikthejnë tek ju sistemin e qartë të pikëzimit”, deklaroi Salianji.

Ndërsa Duma është shprehur se Partia Demokratike do t’i mbështesë të rinjtë deri në fund të kësaj beteje, siç e cilësoi ajo.

“Të marrësh 9.7 në gjimnaz dhe të ulësh kokën të mos marrësh asnjë degë është një padrejtësi e madhe. Dhe ta fillosh jetën me këtë padrejtësi kaq të madhe është mjaft e vështirë më pas për të bërë përpara”, u shpreh Duma.

Top Channel