Shpërndarja e materialeve zgjedhore, KQZ: Partitë pengojnë marrjen në dorëzim

10/09/2016 00:00

Një ditë përpara nisjes së procesit zgjedhor në Bashkinë e Dibrës, KZAZ 19, ka nisur shpërndarjen e materielave zgjedhore për të 118 qendrat e votimit të kësaj bashkie.

Gjithçka duket se është gati për të dielën, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se partitë politike kanë kërkuar ndryshimin e 116 anëtareve të Komisioneve të Qëndrave të Votimit nga 118 qe janë ne total.

“Ndryshimi i anëtarësisë së 98.3% e Komisioneve të Qendrave të Votimit, bën që edhe ata pak komisionerë të trajnuar nga KQZ, të mos jenë pjesë e procesit zgjedhor. Në këto kushte KQZ po merr të gjitha masat që përmes inspektorëve të saj që janë prezent pranë KZAZ-së nr. 19, Dibër, komisionerët të trajnohen para marrjes në dorëzim të bazës materiale zgjedhore për Qendrat e Votimit”, thuhet në njoftimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Top Channel ka xhiruar momentet e shpërndarjes së materialve zgjedhore, por në daljen e fundit për mediat, zëdhënësja e KQZ-së thotë se ato nuk po merren në dorëzim nga komisionet e votimit.

“Deri tani është shpërndarë baza materiale zgjedhore vetëm për 17 qendra votimi nga 118 në total. Shkak për këtë problemtikë është bërë mosdërgimi nga partitë politike i komisionerëve të qendrave të votimit pranë KZAZ për të marrë në dorëzim materialet zgjedhore të cilat do të përdoren gjatë ditës së diele e cila është edhe dita e votimit. KQZ i bën apel partive politike të respektojnë kodin zgjedhor dhe në mënyrë urgjente të dërgojnë komisioneret e qendrave të votimit për të tërhequr bazën materiale, pasi në të kundërt materialet zgjedhore, referuar edhe praktikave të ushtruara në zgjedhjet e kaluara, do t’u shpërndahen komisionerëve të qendrave të votimit të cilët do të jenë pranë KZAZ-ës nr 19 në Dibër për respektimin e këtij detyrimi ligjor”, u shpreh Drilona Hoxhaj, zëdhënëse e KQZ.

Top Channel