“Fiks Fare”, qeveria hap “qesen” për Dibrën në prag të zgjedhjeve lokale

09/09/2016 00:00

“Qesja” e investimeve të qeverisë, e çelur në këtë pragzgjedhje vetëm për Dibrën, përfshin shumë prej objekteve të tenderëve, që lidhen me investime konkrete në arsim, infrastrukturë etj. Pjesë e këtyre kanë qenë edhe premtimet e kandidatit Muharrem Rama në këtë fushatë.

“Fiks Fare” investigoi mënyrën e bërjes së këtyre tenderëve. Rezultoi se Bashkia e Dibrës, e drejtuar nga Et’hem Fida, pas shkarkimit të paraardhësit të tij, Shukri Xhelili për videoskandalin seksual, ka bërë ose ka në prokurim publik, mbi 30 tenderë. Këto tender variojnë nga 8 milionë deri në 1.7 miliard lekë të vjetra.

Përgjatë dy muajve, korrik dhe gusht, kryetari në detyrë ka firmosur këto prokurime, dokumentet e të cilave ndodhen në Agjencinë e Prokurimit Publik. Megjithatë, ajo çfarë bie në sy në këto prokurime është se një pjesë e tyre janë përmendur edhe gjatë fushatës elektorale.

“Fiks Fare” dëgjoi premtimet e kandidatit Rama gjatë fushatës elektorale. Në fshatin Arras, Rama premtoi rrugë dhe ujë. Sipas dokumenteve që disponon Fiksi, rezulton se Bashkia e Dibrës ka bërë një prokurim për rrugën e Arrasit. Qeveria ka akorduar disa milionë lekë të vjetra për ta shtruar këtë rrugë me zhavorr.

Ndërkohë, zoti Rama ka shkuar edhe në zonën e Maqellarës. Ka premtuar investime në arsim dhe infrastrukturë. Duke u ndalur te arsimi, qeveria ka akorduar rreth 800 milionë lekë të vjetra për ndërtimin e shkollës së mesme në Maqellarë. Sipas dokumenteve, është bërë tenderi dhe është shpallur fituesi.

“Fiks Fare” dëgjoi edhe premtimet e zotit Rama në qytetin e Peshkopisë. Premtoi ndërtimin e të gjithë infrastrukturës rrugore. Në fakt, sipas dokumenteve të tenderëve që ndodhen në Agjencinë e Prokurimit Publik, qeveria ka hapur qesen për këtë qytet. Janë bërë, apo janë në proces, dhjetëra tendera për infrastrukturën në Peshkopi.

Sipas dokumenteve që disponon “Fiks Fare”, qeveria ka akorduar 220 milionë lekë të vjetra për asfaltimin e rrugëve në lagje ku ka mbaruar ujësjellësi. Ky tender është bërë gjatë muajit gusht dhe, sipas kontratës, duhet të jetë bërë asfaltimi. Është rregulluar edhe rruga kryesore, nga ish NBSH-ja deri tek ish SMT-ja. Për këtë tender janë akorduar 50 milionë lekë të vjetra.

Ndërkohë, Bashkia e Dibrës, më 31 gusht ka akorduar plot 540 milionë lekë të vjetra për sistemimin dhe asfaltimin e rrugës Borde-Peshkopi. Janë akorduar 147 milionë lekë të vjetra për punime sifoni për aksin Brezhdan-Vakuf, ku fituesi është shpallur më 24 gusht. Nga ana tjetër, janë akorduar 920 milionë lekë për ronovimin e infrastrukturës së bulevardit “Elez Isufi”, rrugës “Safet Zhulali” dhe rrugës së “Muzeut”.

Investimet e qeverisë kanë vijuar në Peshkopi. Kështu, sipas dokumenteve që disponon “Fiks Fare”, është akorduar plot 1.7 miliard lekë për përmirësimin e infrastrukturës vendore, aksesit, lëvizshmërisë dhe rivitalizimin e hapësirave publike në zonën përreth pallatit të Kulturës.

Krahas punimeve në infrastrukturë, Bashkia e Dibrës ka bërë tender edhe për sistemimin e përroit të Llixhave, me një fond prej 33 milionë lekësh. Me 8 milionë ka rrethuar dhe ka vendosur depo uji në shkollën në fshatin Kamen, “Myslim Shehu”. Ka furnizuar me dyer dhe dritare shkollat e njësive administrative, duke akorduar 24 milionë lekë të vjetra.

Me 32 milionë ka sistemuar kanalizimet e ujërave të zeza përgjatë përroit të Tominit. Me 21 milionë ka blerë materiale elektrike, ndërsa me 129 milionë ka rregulluar ndërmarrjen Rruga-Ura. Me 41 milionë ka rehabilituar rezervuarin e fshatit Shimcan. Ka akorduar 29 milionë për lyerjen e institucioneve arsimore, me 33 milionë ka blerë pjesë këmbimi për automjetet. Ka shpenzuar rreth 40 milionë lekë karburant, ndërsa me 44 milionë ka blerë produkte ushqimore për kopshtet dhe çerdhet.

“Fiksi” kontrolloi edhe prokurimet e vogla, që shkojnë deri në 8 milionë lekë të vjetra. Kështu, janë bërë prokurime për mirëmbajtje zyrash, blerje materialesh hidraulike, punime gërmimi e hapje traseje në rrugën Kroi Dane në Arras. Janë blerë materiale për brigadën e gjelbërimit, janë rehabilituar venddepozitimet e mbetjeve urbane, vendet ku qëndrojnë kazanet e plehrave etj.

Megjithatë, tenderi më i çuditshëm është blerja e rrotave për… kazanët e plehrave. Me një fond deri në 8 milionë lekë të vjetra janë rregulluar shkallët e lagjes Gjok Daci, ndërsa është bërë edhe furnizimi me ujë i fshatit Vejnik, në njësinë Administrative Maqellarë. Ndërkohë, janë bërë edhe punime të trupit të rrugës në segmentin pas urës së Lushës.

“Fiks Fare” iu drejtua për informacion edhe Bashkisë së Dibrës, kryetarit në detyrë, zotit Et’hem Fida. Në fakt, zoti Fida është firmëtari i të gjitha tenderëve të listuar më sipër. Fillimisht, ai mohoi që objektet e këtyre tenderëve të jenë bërë për fushatë. Tha se ato kanë qenë domosdoshmëri për banorët e kësaj zone. Por, pas këmbënguljes së gazetarëve të “Fiksit”, apo edhe njohjes së tij me disa nga objektet e këtyre tenderëve, zoti Fida pranoi se kandidatët i kanë përdorur këto tenderë për fushatën e tyre. “Edhe janë përdorur nga kandidatët”, tha ai.

Tenderat në Bashkinë e Dibrës

1. Sistemim asfaltim rruga Borde-Peshkopi. Fondi limit: 54.358.444 lekË pa TVSH. Burimi i financimit buxheti i shtetit dhe i Bashkisë Dibër. 31 gusht u shpall fituesi.
2. Lyerje të institucioneve arsimore të Bashkisë Dibër. Fondi limit: 2.994.088 lekë. Fituesi u shpall më 24 gusht.
3. Blerje dhe montim pjesë-kembimi dhe goma&bateri për automjetet e Bashkisë Dibër. Fondi limit: 3.350.833 lekë. Fituesi u shpall më 24 gusht.
4. Punime për Sifoni-Brezhdan-Vakuf. Fondi limit 14.727.966 lekë. Fituesi u shpall më 24 gusht.
5. Rinovim i infrastrukturës së bulevardit “Elez Isufi”, rrugës “Safet Zhulali” dhe rrugës së “Muzeut. Fondi limit: 92.272.248 lekë pa TVSH. Fituesi u shpall në gusht.
6. Ndërtimi i shkollës së mesme të përgjithshme Maqellarë. Fondi limit: 79.675.817 lekë. Fituesi u shpall në muajin gusht.
7. Punime për përmirësim i infrastrukturës vendore, aksesit, lëvizshmërisë dhe rivitalizim i hapësirave publike në zonën pranë pallatit të kulturës. Fondi limit: 173.040.908 lekë pa TVSH. Fituesi u shpall në muajin gusht.
8. Blerje karburanti për nevojat e Bashkisë Dibër. Fondi limit: 3.963.533 lekë. fituesi u shpall më 28 korrik.
9. Blerje produkte ushqimore për nevojat e kopshteve dhe çerdhe të Bashkisë Dibër. Fondi limit: 4.445.050 lekë. Fituesi më 26 korrik.
 
Prokurimet e vogla (Korrik-Gusht 2016)

1. Mirëmbajtje pajisje zyrash
2. Rikonstruksion i plotë ish magazina + reparti mekanik tek ish M.M. Rruga Peshkopi
3. Blerje Materialesh Hidraulike për rikonstruksione të objekteve të Bashkisë
4. Punime gërmimi hapje traseje rruga Kroi Dane, Arras
5. Materiale të ndryshme për brigadë e gjelbërimit të Bashkisë Dibër
6. Rehabilitim e vend-depozitimeve të mbetjeve urbane, kazanë të mbetjeve, etj
7. Rikonstruksion i sallës së shfaqjeve të Pallatit të Kulturës në Bashkinë Dibër
8. Blerje rrota për kazanë të mbeturinave të Bashkisë Dibër
9. Blerje material ndërtimi për riparimin e çative të objekteve arsimore
10. “Blerje materiale për riparimin e objekteve të Bashkisë Dibër
11. Rikonstruksion i shkallëve të lagjes “Gjok Doci”
12. “Furnizim i pjesshëm me ujë i fshatit Vejnik, Nj.A. Maqellarë
13. Shtresë zhavorri në rrugën e fshatit “Arras”
14. Punime të trupit të rrugës në segmentin pas Urës së Lushës.

Grupe të PS-PD, postblloqe që të mos blihet vota

E gjithë vëmënendja e politikës është zhvendosur në Dibër. Ditët e fundit situate duket e tensionuar.Grupe militantësh ushtrojnë kontrolle në hyrje të fshtrave dhe lagjeve të qytetit me pretendimin për moslejimin e blerjes së votës. Fiks Fare solli fakte se nëpër fshatra të ndryshme të Dibrës janë ngritur postblloqe nga shtabet e të dy kaheve politike, që ruajnë hyrjen në fshatra.

Situata e tensionuar është e njohur edhe për forcat e policisë. Gjatë një bisede me gazetarët e Fiks Fare, një punonjës policie i këshillon që të mos udhëtojnë natën për shkak të rrezikshmërisë.

“Mos ikni për në Tiranë se është udhëtim i pasigurtë, pasi grupet që kanë bllokuar rrugën, nuk ju lejojnë. Ata kanë frikë se shpërndahen lekë dhe për këtë kanë bërë bllokimin e rrugëve. Secila anë akuzojnë se mos blejnë votat e anës tjetër. Vallai edhe unë ju këshilloj në hotel të fleni, sepse me të vërtet është pak gjendje alarmuese. Unë të betohem, që jam në siklet për vete. Nuk ka ndodhur në Dibër ndonjëherë kështu”, thotë një punonjës policie gjatë bisedës me Fiks Fare.

Kjo konfirmohet edhe nga banorët e fshatrave të ndryshme, të cilët tregojnë se grupe të ndryshme bllokojnë rrugët dhe nuk të lënë natën të lëvizësh nëpër fshatra. “Fshati këtu është më i madhi në këtë zonë dhe bëhet lufta më e madhe për vota”, thotë një nga banorët e fshatit Sodovë të Dibrës.

Top Channel