Rruga që kanë përshkruar fasadat e ministrive është shumë e gjatë. Pjesa më madhe e tyre janë ndërtuar në kohën kur Mbreti Zog tentoi t’i jepte Tiranës një fytyre europiane.

Ministritë asokohe u projektuan mbi bazën e një masterplani, ku fasadat e zgjedhura ishin në modë për kohën, kur gjuha e arkitekturës moderne nuk kishte hyrë ende.

Por duket se këto fasada janë kthyer në trend sërish. E para që i është rikthyer fasadës së dikurshme është Ministria e Brendshme, në zemër të kryeqytetit.

“Ministria e Brendshme për hir të së vërtetës kishte mbetur shumë keq, e mbrapa kishte një pamje të tmerrshme. Vetëm pak muaj më parë ishte e papropozueshme që një objekt i tillë të qëndronte në qendër të Tiranës dhe për më tepër një objekt shumë qendror siç është kjo ministri. U vendos që të ruheshin kriteret e kësaj ministrie edhe nga pikëpamja e trashëgimisë që ajo përfaqëson”, tregon Artan Shkreli.

Propozimi për restaurimin e Ministrisë së Brendshme ka kaluar dy herë në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve, i cili vendosi që të ruhen elementët e ndërtesës, për shkak edhe pse bën pjesë në listën e objekteve të mbrojtura nga Trashëgimia Kulturore.

“Për këtë u kërkua të bëhej një stratigrafi e ngjyrave dhe u vendos që pjesa e qeramikës dhe e tullës origjinale të rrijë ngjyrë tullë se nuk ka qenë kurrë e lyer tulla kur u bë në fillim. Me solucione të ndryshme e kruajtje vende-vende iu hoq boja e bërë gjatë viteve dhe ka dalë ngjyra origjinale. Po me stratigrafi u gjet kush është ngjyra e parë që kanë qenë të lyera ministritë, e cila pak a shumë ishte e tillë”, vijoi Shkreli.

Shkreli sqaron se ndryshimi do të jetë në përshtatje me infrastrukturën e bllokut të ministrive, të cilat përkojnë me njëra-tjetrën, duke shtuar se me ndërtimin e Ministrisë së Brendshme përkon ajo e Financave, e cila do të ketë të njëjtin fat.
 
Rikonstruksioni i Ministrisë së Brendshme do të sjellë edhe ndërtimin e Murit të Memories, i cili do të kujtojë rënien e policëve në krye të detyrës.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel