Vijnë muxhahedinët e fundit iranianë nga “Kampi i Lirisë”

09/09/2016 00:00

“Kampi i Lirisë” në Irak është mbyllur përfundimisht.  Rreth 300 muxhahedinët e fundit që ndodheshin atje, kanë mberritur në Shqipëri mbrëmjen e së premtes.

Gjatë procesit 5-vjeçar të zhvendosjes, muxhahedinët janë strehuar në vende të ndryshme europiane, duke përfshirë Gjermaninë, Norvegjinë, Britaninë e Madhe, Holandën, Finlandën, Danimarkën, Belgjikën, Italinë dhe Spanjën.

“The Mujahedeen-e-Khalq”, siç njihen me emrin zyrtarin muxhahedinët iranianë, ishin strehuar në Irak që prej viteve ’80, kur morën armatime dhe mbështetje nga Saddam Hussein gjatë luftës Iran-Irak.

Forcat e udhëhequra prej Shteteve të Bashkuara e çarmatosën grupin pas mësymjes së vitit 2003, e i zhvendosën ata në një bazë në veri të Bagdadit.

Grupi ka qenë i listuar si organizatë terroriste nga Departamenti amerikan i Shtetit për vite e vite me radhë, për shkak të vrasjes së disa amerikanëve. Muxhahedinët janë akuzuar gjithashtu edhe për pjesëmarrje në shtypjen brutale gjatë trazirave shiite të vitit 1991 kundër Saddamit, akuza që grupi vet i ka mohuar.

“MEK” njoftoi zyrtarisht heqjen dorë nga dhuna në vitin 2001. Ushtria amerikane në Irak nënshkroi një marrëveshje me grupin në vitin 2004, duke iu premtuar anëtarëve të tij se do të trajtoheshin si “persona nën mbrojtje” bazuar në Konventën e katërt të Gjenevës. Departamenti i Shtetit më pas i hoqi ata nga lista e organizatave terroriste në vitin 2012.

Forcat irakiane mësynë kampin “Ashraf”, strehë prej një kohe të gjatë në veri të Bagdadit, në vitin 2009, vetëm pak pasi forcat e udhëhequra prej SHBA-ve ia dorëzuan përgjegjësinë për kampin qeverisë irakiane. Grupi u zhvendos më pas në një ish-bazë ushtarake në kryeqytet.

Grupe të armatosura i kanë sulmuar vazhdimisht muxhahedinët që prej rrëzimit të Saddamit, duke vrarë dhjetëra anëtarë të tyre. Edhe pse numri i viktimave nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur, Kombet e Bashkuara kanë shprehur vazhdimisht shqetësimin mbi sigurinë e rezidentëve në kampet ku ndodheshin të strehuar.

Grupi i muxhahedinëve E-Kalk njoftoi vitin e kaluar se më shumë se 20 anëtarë u vranë pas një sulmi me raketë në kampin e tyre, por shifra nuk është verifikuar asnjëherë nga burime të pavarura. “MEK” njihet edhe për pretendime të ekzagjeruara në të kaluarën për mediat.

Shume vende e refuzuan kërkesën e Departamentitit amerikan të Shtetit për pranimin e muxhahedinëve, për shkak të rrezikshmërisë që ata mund të paraqesin.

Top Channel