Tragjedia në Shkup, trupi i Begajt do të kthehet në Kosovë

09/09/2016 00:00

Autopsia e 6 viktimave nga rrëzimi i avionit privat më 6 shtator në afërsi të Shkupit ka përfunduar. Bazuar në raportin e Institutit për Mjekësinë Ligjore në Shkup, asnjëri prej tyre nuk ka pasur djegie në trup dhe se vdekja ka qenë e menjëhershme.

Nga Prokuroria Publike njoftojnë se, tashmë ka filluar faza e identifikimit të trupave. Rreth shkaqeve të rrëzimit, hetuesia thotë se është herët të flitet, por informon se nga vendi i ngjarjes janë tërhequr mbetjet dhe po vazhdojnë hetimet.

“Prokuroria Themelore e Shkupit i ka pranuar të gjitha lëndët e nevojshme dhe dëshmitë, të cilat do të shërbejnë si prova për të vërtetuar arsyet e fatkeqësisë ajrore. Lënda është në procedurë dhe nevojitet kohë për të konstatuar shkaqet e rrëzimit të avionit”, thanë nga Prokuroria.

Gjatë ditës, në Shkup mbërritën edhe familjarët e viktimave nga Italia. Ata u janë nënshtruar analizave të ADN-së me qëllim identifikimin e të afërmve të tyre. Nga Ambasada e Kosovës në Shkup thonë se, ata kanë bërë kërkesë që trupi i Visar Begaj të dërgohet në Kosovë.

“Ambasada ka ndërmjetësuar mes familjarëve të Begajt dhe Ambasadës së Italisë në Shkup, e ka dërguar notë verbale pranë institucioneve të Maqedonisë për të shprehur dëshirën e familjarëve, që trupi i pajetë i Visar Begaj të varroset në Kosovë”, deklaruan nga Ambasada e Kosovës në Shkup.

Ndërsa Ambasada e Italisë në Shkup konfirmoi se trupi i Visar Begajt do të kthehet në Kosovë.

Top Channel