Francë, 3 gratë e arrestuara po planifikonin sulm terrorist. Besnike të ISIS

09/09/2016 00:00

Autoritetet franceze njoftuan këtë të premte se arrestimi i një gruaje 19-vjeçare, erdhi për shkak se besohet që po planifikonte një sulm terrorist, pas shpalljes së besnikërisë ndaj Shtetit Islamik, bën të ditur agjencia e lajmeve “AFP”.

Gruaja e identifikuar si Ines Madani u arrestua së bashku me një 23-vjeçare dhe një 39-vjeçare gjatë së enjtes, në Boussy-Saint-Antoine, një periferi në jug të Parisit, e të treja dyshohet se kishin lidhje me zbulimin e një automjeti nga policia franceze gjatë së dielës së kaluar, në të cilin ndodheshin 7 bombola gazi, pranë Katedrales “Notre Dame”.

Edhe pse nuk u gjet asnjë pajisje që aktivizonte bombolat për shpërthim në brendësi të automjetit, policia dyshon se automjeti tip “Peugeot 607”, i lënë me dritat e bllokazhit të ndezura dhe pa targa, do të përdorej për një sulm terrorist.

Hetuesit thonë se Madani, e cila dyshohet të jetë vajza e pronarit të automjetit, është e dyshuara kryesore pas tentativës së dështuar për sulm terrorist. Agjencia “Reuters” raporton se ishte vet pronari i automjetit, ai që kishte njoftuar policinë të dielën për zhdukjen e makinës dhe vajzës së tij, duke shtuar më tej se vajza kishte shfaqur dëshirën për të udhëtuar drejt Sirisë, e për këtë policia ishte në dijeni.

Një burim hetimor tha se autoritetet kishin gjetur një letër në sendet e njërës prej grave, në të cilën shkruhej angazhimi pro Shtetit Islamik.

Bernard Cazaneuve, ministri i Brendshëm francez, njoftoi të enjten pas arrestit, se Madani ishte plagosur me armë, ndërsa një oficer policie ishte shtruar në spital pas një plage me armë të ftohtë, i goditur nga njëra prej grave.

“Këto gra të reja, 39,23 dhe 19-vjeçare, ishin radikalizuar dhe ishin fanatike ndaj ISIS. Ato dyshohet se po përgatiteshin të kryenin një sulm të pashmangshëm e tepër të dhunshëm”, tha Cazeneuve. Edhe presidenti Francois Hollande përgëzoi policinë dhe bëri thirrje për një vigjilencë edhe më të madhe. “Një grup u shkatërrua, por ka ende të tjerë”, tha Hollande këtë të premte në një konferencë për shtyp nga Athina.

Top Channel