Turqia “lehtëson” frikën e BE-së për marrëveshjen e emigrantëve

09/09/2016 00:00

Ministri i Jashtëm turk ka sugjeruar se marrëveshja historike për të ndalur fluksin e emigrantëve drejt vendeve të Bashkimit Europian mund të shpëtohet, pavarësisht mosmarrëveshjeve për kushtet e liberalizimit të vizave për qytetarët turq që udhëtojnë drejt vendeve të “Schengen”-it.

Duke lehtësuar kështu shqetësimet anembanë Europës, Mevlut Cavusoglu u tha reporterëve gjatë një konference të përbashkët për shtyp me zyrtarët e lartë të BE-së, këtë të premte, se një “mirëkuptim i përbashkët” është i arritshëm dhe konsensusi mund të mos jetë larg. Ai tha gjithsesi se duhet “përcaktuar një udhërrëfyes” për heqjen e kufizimit të vizave për turqit.

“Besoj se me këtë mirëkuptim të lindur, ne do të mund të tejkalojmë problemin”, tha Cavusoglu pas bisedimeve me shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, si dhe Komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn.

Kriza e emigracionit në Europë do të jetë çështja themelore në samitin e javës së ardhshme të udhëheqësve të BE-së, në Bratislavë të Sllovakisë, ndërsa shtetet anëtare mbeten ende të tronditura nga vota e referendumit të Britanisë për t’u larguar nga BE-ja, si dhe përfitimet e fundit të nacionalistëve në Gjermani.

Në Athinë, udhëheqësit e Francës, Italisë dhe 5 shteteve europiane të Mesdheut u mblodhën të premten për të diskutuar krizat e emigracionit dhe borxheve të kontinentit.

“Është shumë e rëndësishme të jepet një mesazh bashkëpunimi në këtë periudhë decizive, pas votimit për ‘Brexit’-in dhe me përpjekjet e populistëve dhe ekstremistëve për të bllokuar Europën”, tha presidenti francez, Francois Hollande.

“Në emër të Europës, vendet jugore të saj janë duke u përballur me vështirësi mbi çështjen e emigrantëve. Kështu që ata duhen ndihmuar, përforcuar, në mënyrë që të mund të ofrojnë mbështetje për azilkërkuesit, por duke pasur gjithashtu edhe një kontroll efiçent të emigracionit”.

Më shumë se një milion refugjatë dhe emigrantë udhëtuan nga Turqia drejt Greqisë, me destinacione vendet e tjera të Bashkimit Europian, kryesisht Gjermaninë e Suedinë. Por, numri i tyre ka rënë ndjeshëm që kur vendet e Ballkanit mbyllën kufijtë e tyre dhe marrëveshja BE-Turqi hyri në fuqi në muajin mars. Mbyllja e kufijve la rreth 60 mijë emigrantë dhe refugjatë të bllokuar në Greqi, shumica e të cilëve në kampe të përkohshme dhe në kushte ekstreme për të jetuar.

Top Channel