Dëshmitari ndaj DIA-s me eskortë, Kastriot Ismailaj bllokon seancën për dëshminë e juristit

09/09/2016 00:00

Romeo Kara, dëshmitari kryesor në procesin ndaj ish-administratorit të DIA-s. Kastriot Ismailaj, ka ardhur në Gjykatën e Tiranës nën masa të forta sigurie.

Ai shoqërohej nga pesë agjentë të forcave speciale, të cilët kanë qëndruar gjatë gjithë kohës pranë tij.

To Channel mësoi se policia e shtetit i ka ofruar mbrojtje ish-juristit të CEZ-it, Romeo Kara pasi ky i fundit është ndjerë i kërcënuar për shkak të dëshmisë që pritet të japë në procesin ndaj Kastriot Ismailajt.

Dëshmitari ka qenë pjesë e procesit edhe në gjykatën e arbitrazhit ndërkombëtar, mes DIA-s dhe CEZ-it dhe dëshmia e tij është e kuptueshme që nuk është në favor të Ismailajt. Nga ana tjetër, i pandehuri Ismailaj, ja doli që në seancën e së premtes të mos dëgjohej dëshmia e ish-jursitit të CEZ.

Me pretendimin se nuk dëgjonte përtej xhamit të blinduar që ndan vendin ku mbahen të pandehurit me ambientin e sallës së gjyqit, Ismailaj ka kërkuar me tone të ashpra shtyrjen e seancës, pasi nuk mund të zhvillohej një proces në të tilla kushte.

Gjyqtarja Vjollca Spahiu, u detyrua të shtyjë seancën për javën e ardhshme, kohë gjatë së cilës do të verifikohet edhe pretendimi i Ismailajt për mungesën e dëgjimit brenda ambientit ku mbahen të pandehurit.

Kastriot Ismailaj akuzohet që nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve ka përvetësuar një shumë prej afro 5 milionë eurosh, nga fondi që kishte mbledhur për llogari të faturave të papaguara të CEZ-it.

Top Channel