Zgjedhjet në Dibër do të monitorohen nga 268 vëzhgues

09/09/2016 00:00

Zgjedhjet në Dibër do të monitorohen nga një numër i madh vëzhguesish vendas dhe ndërkombëtarë.

Numri i përgjithshëm i tyre është 268, ku pjesën më të madhe e zënë vëzhguesit nga partitë që marrin pjesë ne zgjedhje.

Përfaqësues në këtë proces të pjesshëm elektoral do të kenë edhe ambasadat e Shteteve të Bashkuara, delegacioni i Bashkimit Europian dhe ambasada e Suedisë, vëzhguesit e të cilëve u miratuan sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kryetarja Lefteri Luzi u bëri thirrje partive politike të dërgojnë përfaqësuesit e tyre në trajnim për komisionerë dhe numërues, në mënyrë që ata të kenë sjellje sa më profesionale gjatë procesit.

Këtë problem e ngriti edhe Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, i cili përfaqësohet në zgjedhjet e Dibrës me 88 vëzhgues.

Një tjetër problem kyç që evidentoi kjo organizatë ishte boshllëku ligjor për financimin e partive dhe kandidatëve gjatë zgjedhjeve të pjesshme. Koalicioni i Vëzhguesve vendorë u bëri thirrje partive të mos lejojnë që konfliktualiteti politik, presioni dhe shitblerja e votës të cënojnë lirinë dhe integritetin e procesit zgjedhor.

Top Channel