Veliaj inspekton investimin e ri të UKT për rrjetin para Parlamentit

09/09/2016 00:00

Krahas punimeve në qendrën e Tiranës, bashkia dhe ujësjellësi kanë hapur disa kantiere të tjera me të cilat ka nisur rehabilitimi i një pjese të rrjetit të tubacioneve në qytet, në të cilat shpeshhere janë krijuar probleme për shkak të amortizimit.

Kreu i bashkisë, Erion Veliaj e cilësoi këtë vit një vit punësh, ku shumë pjesë të Tiranës do të ndryshojnë në funksion të qytetarëve.

“Një vit më parë premtuam një bashki që punon me 3 turne. E di që sa herë që ndërtohet diçka, sa herë që bëhet një investim, sigurisht ka impakt në trafik, në mënyrën se si bëhet qarkullimi në qytet. Por, edhe sa herë që rregullojmë shtëpinë, dhomën e ndenjes apo dhomën e gjumit, shtëpia paralizohet ato ditë që ka punime në shtëpi. Tirana është shtëpia jonë e madhe, që do të thotë se sa herë që ka punime kërkohet mirëkuptim. Ajo që premtojmë dhe që po angazhohemi edhe tani në mes të natës, është që do të punojmë me 3 turne, që punët të mbarojnë sa më shpejt, por nuk mund të kërkojmë një Tiranë moderne nëse nuk i bëjmë këto investime”, tha Veliaj.

Rehabilitimi në këto pjesë të qytetit do të përfundojë brenda një jave, ndërsa i njëjti standard do të përdoret edhe për projekte apo ndërhyrje të tjera në infrastrukturë.

Me rehabilitimet në këto pjesë të qytetit, bashkia synon të shmangë totalisht humbjet në rrjetin e ujësjellësit, ndërsa parashikohet që furnizimi me ujë për zonat e qendrës së Tiranës të përmirësohet ndjeshëm.

Top Channel