NASA, mision 7 vjeçar, material nga asteroidi Bennu

09/09/2016 00:00

Marrja e një kampioni nga asteroidi Bennu, do të jetë misioni më i ri i Agjencisë Hapësinore amerikane, NASA.

Shkencëtarët shpresojnë se materiali do të ofrojë detaje lidhur me përbërjen e planetëve dhe do të përmirësojë njohuritë mbi lëvizjen e objekteve potencialisht të rrezikshme në sistemin diellor.

Sonda e pagëzuar si “Osiris Rex”, u hodh nga baza në Florida në një raketë “Atlas” në 19:05 të orës lokale. Do të duhen 7 vjet para se të rikthehet në Tokë me gjahun e saj.

Sipas parashikimeve, sonda do të zbresë përmes një parashute në shkretëtirën e Utah-s në 24 shtator të vitit 2023.

Ky nuk është misioni i parë i këtij lloji. Japonezët sollën në tokë një sasi të vogël pluhuri nga asteroidi Itokawa në 2010-tën. Por amerikanët shpresojnë të sigurojnë më shumë material, pesha e të cilit mund të arrijë ndoshta në disa qindra gram.

Inxhinierët kanë krijuar një pajisje grumbullimi, e cila do të zgjatet nga “Osiris-Rex” në një krah robotik duke takuar në sipërfaqen e Bennu-t.

Pas kontaktit mekanizmi do të shkaktojë një shpërthim gazi për të mundësuar shkëputjen e disa fragmenteve nga trupi qiellor e për t’i paketuar ato në kapsulën e kthimit. Bennu, me një gjerësi prej 500 metrash është një i ashtuquajtur asteroid i llojit b dhe është shumë i errët.  Vëzhgime të bëra me teleskop sugjerojnë se ai është i pasur me karbon.

Top Channel