Vritet zyrtari i OSHEE, mister shkaqet

09/09/2016 09:50

Saimir Jaku u ekzekutua nga dy persona të maskuar dhe me armë kallashnikov në momentin që ndodhej në ambientet e jashtme të një lokali në qendër të qytetit të Rrëshenit.

Vrasja ndodhi në orën 9 e 40 minuta. Personat e maskuar ndaluan mjetin e tyre pranë lokalit, u afruan dhe qëlluan me breshëri.

Policia gjeti në tokë të paktën 16 gëzhoja, ndërsa breshëria e armëve ka lënë shenja edhe në disa dyqane e lokale pranë.

Nga plumbat edhe një 50-vjeçar me inicialet Gj.P., është plagosur dhe është dërguar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Autorët e ngjarjes ikën me shpejtësi dhe policia nisi ndjekjen menjëherë, pasi atentati ndodhi shumë afër Komisariatit të Policisë.

Mjeti tip Benz, me të cilin udhëtonin vrasësit, është lokalizuar të largohej në drejtim të fshatit Gallatë në Kurbin. Policia, e mbështetur edhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë rrethuan gjithë zonën dhe nisën kërkimet për kapjen e autorëve. Në të gjitha rrugët nacionale dhe rurale janë vendosur postoblloqe.

Viktima, mësohet se është punonjës i OSHEE. Kompania me një deklaratë dënoi aktin kriminal, ndërsa sqarohet se Saimir Jaku deri në fund të gushtit mbante detyrën e Drejtorit të Njësisë së Tensionit të Larte Veri. Në shtator ai është transferuar në Tiranë në pozicionin Shef Sektori i Asistencës Teknike.

Ditë më parë, ish-kryeministri Berisha, me një postim në Facebook akuzonte Jakun për precedentë penalë, ndërsa OSHEE tregoi deshminë e penalitetit, e cila është e pastër.

Top Channel