5 vjet nga ekzekutimi i gjykatësit; vrasësit ende mister

09/09/2016 09:15

Në vendin ku pesë vjet me parë ndodhi shpërthimi i telekomanduar që i mori jetën gjyqtarit Skerdilajd Konomi, kolegët dhe familjarët e tij kanë vendosur lule dhe qirinj për të kujtuar humbjen e njeriut të drejtësisë, vrasësit e të cilit nuk janë identifikuar ende.

“Me ndryshimin e sistemit të drejtësisë, shpresojmë të bëhet një hetim i mirëfilltë për vrasjen e Konomit”, tha kreu i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluca.

Gjatë këtyre pesë viteve pës atentatit mafioz, dosja “Konomi” është përcjellë disa herë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në polici, megjithatë çdo dyshim ka rezultuar i paprovuar dhe në rrugë pa krye, përderisa vrasja me eksploziv, siç u krye ekzekutimi i gjyqtarit, zhduku edhe gjurmën e telefonatës që kreu thirrjen vdekjeprurese.

Prokuroria kaloi në sitë të gjitha dosjet që kishte shqyrtuar si gjyqtar Skerdilajd Konomi dhe nuk doli në asnjë përfundim që mund ta afronin me gjurmët e autorëve.

Ndërkohë, vrasja e Konomit vijon të hetohet për motivin e detyrës, edhe Unioni i Gjyqtarëve në vend u lëshoi thirrje autoriteteve që të zbardhin sa më shpejt këtë krim të rëndë, që sipas komunitetit të gjyqtarëve dëmtoi rëndë sistemin e drejtësisë.

“Kanë kaluar pesë vjet dhe fakti që kjo ngjarje nuk është zbardhur ende, e bën më të dhimbshme për familjarët dhe ne humbjen e Skerdilajd Konomit. Derisa kjo ngjarje të mos jetë e zbardhur, siguria e çdo gjyqtari, prokurori, familjarëve të tyre, oficerëve të policisë dhe policëve të thjeshtë vazhdon të mbetet e cënuar”, thuhet në qëndrimin e Unionit.

Gjyqtarët theksojnë se nëse reforma nuk merr parasysh edhe këtë element të rëndësishëm, siç është siguria e jetës , atëherë ajo do të jetë gjysmake dhe nuk do të arrijë efektet e duhura.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel