Tropojë, asgjësohen 514 bimë kanabis; një i arrestuar

09/09/2016 09:00

Policia e Tropojës ka asgjësuar 514 rrënjë kanabis, ka sekuestruar një armë zjarri dhe ka arrestuar një shtetas. Gjithashtu është proceduar penalisht kryeplaku i fshatit dhe një shtetas tjetër.

Efektivët, në vijim të punës për kontrollin e territorit për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike dhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në fshatin Gjonpepaj dhe Vranë. 

Si rezultat i kontrollit të ushtruar në fshatin Gjonpepaj, në afërsi të banesave të shtetasve Gjergj Ulndreaj dhe shtetasit D.D., u gjetën dhe u asgjësuan me anë të djegies 134 rrënjë bimë narkotike.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit D.D., në ambientet e brendshme ju gjet dhe sekuestrua një automatik.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i Gjergj Ulndreaj, 55 vjeç, banues në fshatin Gjonpepaj, Tropojë. Si dhe u proceduan penalisht shtetasit D.D. dhe Gj.D., banues në fshatin Gjonpepaj.

Ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Vranë, u gjetën dhe asgjesuan me anë të djegies 380 rrënjë bimë narkotike. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Top Channel