FIFA bllokon merkaton e Realit dhe Atleticos

08/09/2016 00:00

Dy klubet e Madridit Real dhe Atletico nuk do të mund të afrojnë lojtarë deri në vitin 2018. Drejtuesit e FIFA-s konfirmuan këtë vendim, duke penalizuar kështu dy klubet e kryeqytetit spanjoll, për të mos bërë dot përforcime në dy periudhat e ardhshme të merkatos.

Te Reali dhe Atletico pra nuk mund të vijë dot asnjë futbollist gjatë periudhës së transferimeve në janar të vitit 2017 si dhe në verën e ardhshme, e gjitha kjo për shkak të vendimit të FIFA-s për të dënuar këto dy klube, për firmosjen e kontratave me lojtarë nën moshën e lejuar.

Sidoqoftë si Reali ashtu edhe Atletico kanë të drejtë për të bërë ankimim në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Në një rast të tillë skuadrat do të përfitonin kohë duke u përforcuar në janarin e ardhshëm, për t’iu nënshtruar më pas sanksioneve të FIFA-s.

Reali e konsideroi dënimin si krejtësisht të padrejtë dhe kundër principeve më elementare përsa i përket të drejtave të dy palëve. Pa humbur kohë klubi më i lavdishëm spanjoll bëri të ditur se do të apelojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, kundër këtij dënimi.

Top Channel