Kuvendi miraton ndryshimet në buxhet

08/09/2016 00:00

Kuvendi miratoi me 73 vota pro në seancë plenare, aktin normativ të Qeverisë që ndryshon buxhetin e këtij viti.

Sipas ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, ndryshimet vijnë në një moment kur ekonomia e Shqipërisë ka shënuar përparime.

Sipas tij, edhe pse ka ulje të të ardhurave me rreth 5 miliardë lekë, nuk preken ato tatimore, ndërkohë që janë parashikuar një sërë rialokimesh të fondeve për investime.

Akti normativ parashikon ulje të deficitit buxhetor dhe përdorimin për investime dhe reduktim të borxhit, të rreth 2.2 miliardë lekëve të përfituara nga privatizimi i INSIG-ut.

Ndërkohë për opozitën, akti normativ ul investimet në sektorë prioritarë, si Arsimi e Shëndetësia, dhe tregon se ekonomia është në vështirësi si pasojë e politikave të qeverisë.

Në seancën e sotme u miratuan gjithashtu dekretet e presidentit për shkarkimin e Haxhinastos nga posti i ministrit të Transportit, me 72 vota pro, dhe zëvendësimin e tij apo emërimin e Dervishajt në këtë dikaster me 73 vota pro.

Në seancë pati debate mes mazhorancës dhe opozitës edhe për çështje të tjera të aktualitetit, që nga skema e re e pranimeve në universitete, e deri te lufta kundër korrupsionit dhe drogës.

Top Channel