Tahiri kthen ligjet e Zogut. Gjoba e burgime për dhunën ndaj kafshëve

08/09/2016 00:00

Batutat e filmit “Koncert në vitin ’36” kanë shkaktuar shumë të qeshura. Ligjet e atëhershme për ndëshkimin e dhunës ndaj kafshëve mund të dukeshin të tepërta, në një Shqipipëri që orvatej mes Lindjes dhe Perëndimit.

Por përtej sarkazmës së filmave të realizmit socialist, ligjet e Mbretit Zog për mbrojtjen e kafshëve ishin një përpjekje serioze për modernizimin e një shoqërie anadollake.

Plot 80 vite më vonë, një ligj për mbrojtjen e kafshëve është një domosdoshmëri.

Vet ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka bërë me dije se, braktisja, keqtrajtimi, dhuna, do të propozojë të jenë vepra penale të dënueshme.

Në fakt, gjendja në klinikat veterinare flet vet. Ato janë të mbushura me kafshë të keqtrajtuara.

“Maçokun e kemi gjetur të keqtrajtuar, kishte një këmbë tërësisht të gangrenizuar dhe i vetmi shpëtim për të ishte heqja e pjesës së shputës”, thotë Ornela Mebelli, menaxhere e përgjithshme e Spitalit Veterinar Ndërkombëtar.

Në propozimin e ministrit Tahiri, keqtrajtimi i kafshëve dënohet me burgim nga 6 deri në 12 muaj, si dhe me gjobë nga 5.000 deri në 10.000 lekë.

Gjithashtu do të ndalohen shfaqjet, konkurset, eksperimentet dhe luftimi ndërmjet kafshëve. Për këtë do të ketë një dënim maksimal me burgim deri në 3 vite, si dhe gjobë deri në 100.000 lekë.

Ndërkohë, përdorimi për qëllime përfitimi i lëkurës së kafshëve, sipas propozimit të ministrit do të dënohet me burgim deri në 3 vite dhe me gjobë deri në 100.000 lekë. Veterinerët thonë se, masa të tilla janë të mirëpritura.

“Jemi shumë agresivë ndaj kafshëve, fatkeqësisht, ndaj dhe kemi shumë punë për të bërë përpara kësaj dite. Por besoj se nisma si këto janë shumë të rëndësishme”, tha Ornela Mebelli.

Top Channel