OKB: Të zbardhet e shkuara. Gilmore: Kështu shpëton e ardhmja

08/09/2016 00:00

Në konferencën dyditore të Avokatëve të Popullit në Tiranë mori pjesë edhe nënkomisionerja e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut. Zonja Kate Gilmore thotë se e shkuara e dhunshme e Shqipërisë duhet të zbardhet dhe i kërkoi qeverisë shqiptare të veprojë me guxim në hapjen e dosjeve të së shkuarës. Gazetarja Lira Burgija e Top Channel bisedoi me të.

TCH: A po bëhet mjaft nga kjo organizatë për të përmirësuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht të fëmijëve?

Kate Gilmore: Njerëzit që largohen nga konfliktet, jeta e të cilëve është në rrezik, duhet t’i presim me dinjitet dhe dhembshuri, duke mbrojtur të drejtat e tyre, si në vendet ku kalojnë tranzit, ashtu edhe në ato të destinacionit final. Duhet të mendojmë për politikat e duhura. Edhe në konferencë dolëm me një kërkesë të fortë ndaj komunitetit ndërkombëtar: Të ngrihemi dhe të mbrojmë e respektojmë të drejtat e njerëzve, përfshirë atyre që emigrojnë, dhe të zhvillojmë politika e ligje që e bëjnë të mundur këtë.

TCH: Cila është rëndësia e deklaratës së Tiranës?

Kate Gilmore: Është një dokument i vlefshëm, që shpresojmë ta çojmë në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku do të ketë një bashkëbisedim të ngjashëm. Deklarata e Tiranës do të konsiderohet si deklaratë e Nju Jorkut mbi të drejtat e refugjatëve dhe emigrantëve.

TCH: Kishit disa takime me ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, me të cilët diskutuat mbi të drejtat e njeriut në Shqipëri. Çfarë ju thonë për të drejtat e njeriut në Shqipëri?

Kate Gilmore: Jemi një çerekshekulli më vonë dhe shohim një vend të transformuar në mënyrë të thellë, por një vend, rrugëtimi i të cilit nuk ka përfunduar ende, veçanërisht sa i përket të drejtave të njeriut. Ka ende të zhdukur nga ajo periudhë tiranie, ndaj i kërkuam qeverisë po ashtu të jetë e guximshme. Të tregojë historinë e plotë të së shkuarës, në mënyrë që të mbrohemi nga përsëritja e po atyre gabimeve në të ardhmen.

Top Channel