Faza e dytë e fituesve nis më 23 shtator, por protestat vazhdojnë

08/09/2016 00:00

Orges Balla është njëri nga maturantët me mesatare 9.71 dhe ka fituar në shtatë degë, por jo atë që ai preferon.

“Kam aplikuar në dhjetë degë të ndryshme, por e preferuara ime është inxhinieri informatike. Kam fituar në 7 lëndë të tjera. Nuk zgjodha asnjë, por do të aplikoj në raundin e dytë, për të kapur inxhinierin informatike”, thotë ai.

Të shtatë programet, ku Orgesi është renditur fitues do të jenë shtatë mundësi për ata që janë poshtë listës së fituesve.

Por si Orgesi ka shumë të tjerë të cilët kanë fituar në shumë degë dhe do të zgjedhin njerën prej tyre, ndaj maturantët të cilët nuk gjejnë emrin e tyre në listat e fituesve do t’u duhet që të aplikojnë sërish duke zgjedhur ato programe që kishin përcaktuara më parë ose të tjera.

Duke parë listat e fituesve dhe mesataret e tyre, tanimë e kanë të qartë se ku mund të fitojnë në raundin e dytë. Sipas udhëzimit në Ministrinë Arsimit deri në datën 20 shtator do të bëhet regjistrimi i fituesve të raundit të parë. Më pas, të gjithë univeristetet do të dërgojnë vendet bosh pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve.

Nga data 23 deri më 1 tetor, të gjithë maturantët të cilët nuk janë regjistruar duhet të aplikojnë sërish. Brenda datës 6 tetor shpallet lista paraprake e fituesve të raundit të dytë dhe menjëherë fillon regjistrimi i tyre, që zgjat deri në datën 12 tetor. Pas kësaj date nuk ka më aplikime, por sekretaritë e universiteteve do të bëjnë plotësimin e vendeve të mbetura bosh duke radhitur fitues ata që vijnë njëri pas tjetrit sipas mesatares.

Por edhe specialistët ndahen kur flasin për efikasitetin e kësaj skeme.

“Në shkurt të vitit 2016, maturantët që kishin bërë, 3 vjet gjimnaz, u thuhet që do të ndryshojmë rregullat e lojës. Kjo është e padrejtë dhe kërrkush nuk i këshilloi. Ka raste kur një maturant ka aplikuar për juridik ndërsa nuk ka bërë sociologji, psikologji e filozofi. Ai nuk e dinte më parë dhe shkolla nuk e dinte që juridiku do të kërkonte një nga këto 3 lëndë”, thotë Fatmir Vejsiu.

“Informimi ka filluar që më hyrjen në fuqi të ligjit. Nuk është e vërtetë që nuk ka patur konsultime. Nxënësit kanë qenë të qartë për rregulloret dhe madje kanë aplikuar duke qenë të qartë për të gjithë kriteret e tij“, thotë Plarent Ndreca.

Debati mbërriti edhe në Kuvend.

“Kanë mbetur 300 vende gjithsej. Pranimet jua ua mbyllët dyert për t’i nisur drejt sektorit privat, ku ju merrni për çdo student 40 përqind të tarifës. Mirë është që të bësh dorëheqjen e menjëhershme, të ribëhet procesi nga e para”, deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha.

“Sapo të mbarojë kjo fazë, sërish online dhe në mënyrë transparente, më transparente se kurrë më parë, të gjithë maturantët do të kenë të drejtën të aplikojnë dhe absolutisht të gjithë do të fitojnë të drejtën e studimit”, u përgjigj zv.kryeministri Niko Peleshi.

Mijëra të rinj janë në pritje që së paku skema e re të funksionojë në fazën e dytë të saj. 

Top Channel