Arsimi, kritika nga LSI. Nikolla: Sistemi është i mirë

08/09/2016 00:00

Ministrja e Arsimit nuk pranoi në Parlament ndonjë defekt të sistemit që përzgjedh maturantët për në Arsimin e Lartë.

“Nuk ndodh në asnjë rast, që një maturant apo një aplikant të ketë një sistem vlerësimi, pra një notë mesatare më të ulët, dhe të jetë renditur më lart sesa një aplikant tjetër. Ky është sistemi i meritës. Ky është sistemi i transparencës”, tha Nikolla.

Ministrja e Arsimit nuk pranoi si realiste, as kritikat e ndryshimit të rregullave gjatë maturës apo mosinforminin e duhur të maturantëve.

“Shqetësimit të shumëkujt nëse kjo është komunikuar me kohë, i përgjigjem: Sigurisht që kemi filluar në mënyrë konstante dhe të mirorganizuar që në muajin nëntor”, tha më tej ministrja Nikolla.

Por ky shqetësim nuk u ngrit vetëm nga maturantët dhe opozita. Miranda Rira, që përfaqëson LSI-në në Bashkinë e Prrenjasit, ishte e ashpër kundër ministres së Arsimit.

“Të them të drejtën është një zhgënjim personal i imi, sesi është bërë sistemi i arsimit sot”, tha Rira.

Kryebashkiakja Rira, e cila një ditë më parë në rrjetet sociale e quajti Nikollën ministren më të paaftë të qeverisë, para kameras kujdeset të thotë se ky është një qëndrim personal.

“Nuk flas si përfaqësuese e LSI-së, por mendoj se në këtë fazë që jemi, ministrja e Arsimit është përgjegjëse për këtë gjë. Dhe le të themi se ajo do të jetë përgjegjëse edhe për të tjera gjëra, se jam e sigurtë, që kjo është vetëm maja e ajsbergut”, deklaroi Rira.

Në përpjekje për të zbutur tonin, por jo thelbin e kritikës së Rirës, partia e saj mbështeti Ministrinë e Arsimit, edhe pse pranoi kritikat për ndryshimin e rregullave dhe mungesën e informacionit.

“Ne i bëjmë një ftesë dhe një thirrje Ministrisë së Arsimit që, me shumë përgjegjshmëri dhe me shumë durim e konstruktivitet, të vazhdojë punën e saj dhe të jetë pranë gjimnazistëve dhe nevojave të tyre. Është e rëndësishme që ai informim, që ka munguar më parë, të jetë në dispozicion të gjimnazistëve, si dhe çdo procedurë që do të bëhet nga tani e tutje të jetë e hapur dhe transprente”, u tha nga LSI.

Top Channel