Kosovë, Thaçi pret kreun e KFOR-it: Misioni, i pazëvendësueshëm

08/09/2016 00:00

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka takuar gjeneral-majorin Giovanni Fungo, komandantin e XXI-të të KFOR-it, i cili ka marrë detyrën më 1 shtator.

Thaçi i ka uruar detyrën e re gjeneral-majorit Fungo dhe ka shprehur kënaqësinë, që këtë post e merr një ushtarak, i cili e njeh mirë rajonin për shkak të detyrave të mëhershme që ka kryer.

Kreu i vendit u shpreh se KFOR-i gëzon besimin e madh të qytetarëve të Kosovës dhe se kjo është falë punës dhe përkushtimit që ka dëshmuar.

“KFOR-i është i pazëvendësueshëm”, ka thënë Presidenti Thaçi, i cili ka shtuar se “puna e KFOR-it është e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, por edhe në rajon”.

Ndërkaq, gjeneral-majori Fungo ka shprehur kënaqësinë që ndodhet përsëri në Kosovë dhe ka konfirmuar angazhimin e KFOR-it në sigurimin e lirisë së lëvizjes dhe ambientit të qetë e të sigurtë për të gjithë.

“Motoja ime do të jetë ‘besim dhe përkushtim’, që përshkruan misionin e XXI-të të KFOR-it”, ka thënë komandanti Fungo.

Presidenti Thaçi u shpreh se, falë punës së përbashkët “kemi ndërtuar një shoqëri mbi themelet e multietnicitetit, të bashkëjetesës, të tolerancës etnike dhe fetare”, si dhe u shpreh i gatshëm të vazhdojë “bashkëpunimin e shkëlqyer me KFOR-in”.

Top Channel