Inflacioni, në dy përqind. Rriten çmimet e Arsimit dhe ushqimeve

08/09/2016 00:00

Inflacioni u rikthye për herë të parë që nga fundi i vitit të kaluar në fashën e objektivit ligjor të Bankës së Shqipërisë. Instituti i Statistikave raportoi se në gusht, indeksi i çmimeve të konsumit shënoi nivelin 2 përqind, kur për 7 muaj me radhë ka qenë poshtë këtij niveli. 

Sipas INSTAT, rritja e inflacionit në gusht u ndikua kryesisht nga çmimet e ushqimeve, të cilat u rritën me 4.7 përqind krahasuar me gushtin e vitit të kaluar.

Por një tjetër faktor që ka ndikuar në inflacion janë tarifat e shërbimit arsimor. Çmimet e shërbimit arsimor në gusht ishin, sipas INSTAT, 4.4 përqind më të larta se sa gushti i vitit të kaluar. Por siç tregojnë të dhënat, kjo rritje e tarifave ka ndodhur në shtator tetor të vitit 2015 dhe që prej atëherë kostot e shërbimit arsimor nuk kanë ndryshuar.

Ndërsa në krahun rritës të inflacionit kanë kontribuar çmimet e ushqimeve dhe arsimit, në kahun e kundërt, atë rënës ndikimi më i madh ka ardhur nga çmimet e transportit dhe veshjeve.

Sipas INSTAT, çmimet e transportit ishin me 2.2 përqind më të ulëta se gushti i një viti më parë, ndërsa ato të veshjeve kanë rënë me 0.4 përqind.

Që prej fillimit të vitit inflacioni ka qenë gjithmonë poshtë nivelit 2 përqind, duke ngritur shqetësimet për deflacion. Rikthimi i këtij treguesi brenda fashës së objektivit ligjor 3 plus minus 1 përqind, është një frymarrje lehtësimi jo vetëm për Bankën e Shqipërisë, por edhe Ministrinë e Financave, pasi ky nivel inflacioni konsiderohet si më i përshtatshmi për të inkurajuar konsumin dhe investimet.   

Top Channel