Skema e pranimit në universitete, Rama: Garanton meritën

08/09/2016 00:00

Skema e re e pranimeve në universitete ka shkaktuar debate në seancën plenare, ky Kryeministri Edi Rama iu përgjigj akuzave të Jozefina Topallit për këtë çështje.

Kreu i Qeverisë tha se protesta e maturantëve që nuk janë shpallur fitues në raundin e parë, në disa raste është e nxitur nga ish-drejtorë të arsimit të ndëshkuar për korrupsion.

Ai tha se sistemi i ri nuk mund të korruptohet dhe garanton vetëm meritën dhe shtoi se thuajse të gjithë maturantët do të kenë mundësinë që të ndjekin studimet në universitet.

“Ai që është më i mirë ka të drejtë të zgjedhë i pari. Pasi më të mirët të kenë zgjedhur në raundin e parë, do të jenë 9 degë të lira për të tjerët dhe do të kenë mundësinë e dytë pothuajse të gjithë maturantët”, tha ai.

Kryeministri tha se akuzat e opozitës janë vetëm politike dhe si shembull për këtë përmendi faktin që asnjë rektor nuk ka dalë kundër skemës së re të pranimit në universitet dhe dha edhe arsyet për këtë.

“Sepse ky sistem është transparent dhe çliron rektorët nga barra e telefonatave dhe ndërhyrjeve sepse nuk bëjnë dot asgjë. Në shkollë dhe në cilëndo shkollë të gjithë të rinjtë i fut vetëm merita e tyre”, tha ai.

Top Channel