Kuvendi, debat për studentët; replika Berisha-Peleshi

08/09/2016 00:00

Sali Berisha, deputet i Partisë Demokratike, deklaroi në seancën plenare të së enjtes se “pseudoreforma në arsim ka lënë mijëra gjimnazistë jashtë universiteteve”.

“Kriteret u bënë poshtërsisht pasi maturantët kishin bërë zgjedhjet. Juve ju kujtohet si Edi Rama nga tribuna sulmonte arsimin privat, thoshte do të bëjë këtë e atë. Unë isha nxitësi i arsimit privat dhe i qëndroj, por i atij arsimi që do të merrte vetëm ata që s’plotësonin asnjë kriter për universitetet publike. Çfarë bëri Edvini? Ju dha efekt prapraveprues kritereve dhe u thotë, ‘merrni ju privatë tani me nënta, me dhjeta, se këtu i fusin edhe me 7 në Drejtësi’”, u shpreh ish-kryeministri.

“Kërkoj krijimin në mënyrë urgjente të një komisioni dhe vendosjen e preferencës në vendin që meriton. S’ka më keq se t’u zësh pritë të rinjve. Ministrja të konsiderojë dorëheqjen imediate dhe të bëhet procesi nga e para”, shtoi Berisha.

Duke iu referuar deklaratës së ambasadorit amerikan Donald Lu sa i takon krimit të organizuar në vend, Berisha tha se “këtu Al Kaponia është kryeministër, që përdor fuqinë e ekzekutivit për të fuqizuar krimin”.

Peleshi: Nga 24 mijë aplikime, 24 mijë vende

Zv.kryeministri Niko Peleshi i është përgjigjur akuzave të deputetit Berisha, duke deklaruar se nga 24 mijë aplikime për maturantët janë 24 mijë vende.

“Mërzia e një pjese të maturantëve lidhet me procesin. Jemi në fazën e parë të dy fazave. Kjo është e vërteta. Nuk ka faj asnjë maturant nëse ne nuk ia themi siç duhet, apo ia fshehim përmes fjalimeve këtu në Parlament, që janë fjalime politike për mua. Sepse nuk mund të bësh politikë me një proces që shumë shpejt do të sqarohet”, ka deklaruar Peleshi.

Braçe: Berisha, interesa direkte në sektorin e arsimit privat

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe i është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Berisha lidhur me problemin e maturantëve, duke i cilësuar ato një farsë.

Duke marrë fjalën në seancën plenare, Braçe ka deklaruar se, reagimi i Berishës ka të bëjë me mbrojtjen e interesave të tij financiare në sektorin e arsimit privat.

“Berisha flet për interesat e tij në biznesin e universitetit privat. Sali Berishës nuk i besohet”, ka thënë Braçe.

Megjithatë, deputeti i majtë ka kërkuar angazhim maksimal nga qeveria, Ministria e Arsimit dhe rektori i zgjedhur për zgjidhjen e situatës.

“Por është e turpshme që Berisha të vijë këtu dhe të ngrejë këtë problem, ashtu sikurse bëri dje Lulzim Basha, në Facebook nga Dibra”, ka vijuar Braçe.

Deputeti socialist u është përgjigjur edhe akuzave të ish-kryeministrit sa i takon “Al Kapones”, siç i cilësoi një ditë më parë ambasadori amerikan bosët shqiptarë të krimit.

“Sa për deklaratën e ambasadorit për Al Kaponen kam një pyetje, përse kryeministri i djeshëm në 8 vjet nuk e arrestoi?”, është shprehur Braçe.

Ai ka shtuar se, “gjatë qeverisjes së tij Berisha ka punuar vetëm për të përçarë shqipërinë dhe shqiptarët”.

Top Channel