Vetting-u, PD nuk ka vendim; ligji po studiohet, heshtje dhe në Presidencë

08/09/2016 00:00

Për të mos e votuar vetting-un opozita përdori si argument kryesor të vetin antikushtetueshmërinë për disa prej neneve kryesore të këtij ligji.

Por, kur ka kaluar një javë nga miratimi në Kuvend i ligjit vetëm me votat e koalicionit qeveritar, Partia Demokratike ende nuk ka marrë një vendim nëse do ta ankimojë apo jo vetting-un në Gjykatën Kushtetuese.

Top Channel mësoi se ekspertët e opozitës po bëjnë analizën kushtetuese të ligjit dhe se shumë shpejt pritet ta përfundojnë atë. Burime zyrtare pohuan se pas kësaj, opozita do të publikojë hapat që do të marrë dhe se këtu nuk përjashtohet dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese.

Në fakt, ky është aktualisht opsioni mbizotërues, sepse ekspertët demokratë kanë evidentuar deri tani disa pika që sipas tyre bien ndesh me Kushtetutën e re.

Megjithatë, mosshpallja e vendimit, ndryshe nga çdo rast tjetër i ngjashëm, do të thotë se dërgimi i ligjit të vetting-ut në këtë gjykatë mund të sjellë reagime të reja të ashpra nga amerikanët, të cilët kanë marrë autorësinë e ligjit dhe e konsiderojnë ate si pikën kyçe të zbatimit të reformës në drejtësi.

Mosshpallja e vendimit nga demokratët për ta dërguar apo jo çështjen në Gjykatën Kushtetuese koinçidon edhe me një vendim që duhet të marrë presidenti i Republikës.

Paralelisht me demokratët, ligji po analizohet edhe nga juristët e Presidencës, të cilët gjithashtu duhet t’i japin presidentit Nishani një produkt brenda javës së ardhshme.

Top Channel mësoi se kreu i shtetit do të vendosë nëse do ta kthejë apo jo ligjin për rishqyrtim në Parlament brenda datës 16, datë në të cilën ai niset për të marrë pjesë në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara.

Top Channel