TI: Drejtësia më e korruptuara. Ndryshoni ligjin e konfliktit të interesit

08/09/2016 00:00

15 institucionet dhe sektorët e marrë në shqyrtim nga “Transparency International” vijojnë t’i lënë dyert hapur korrupsionit. Perfomancën më të dobët e ka Gjyqësori dhe Prokuroria. Raporti thotë se institucionet përgjegjëse për hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e korrupsionit janë në presion të fortë politik për të vepruar, e kjo trysni e gjen zanafillën që tek kuadri ligjor.

“Institucione si KLSH apo si Prokuroria e Përgjithshme, si gjykatat e të tjera me radhe, kjo po adresohet përmes reformës në drejtësi, ILDKP apo komisioneri për mbikëqyrjen e shërbimit civil, nuk e ka të garantuar pavarësinë, shumica emërohet me shumicë të thjeshtë në Parlament.  Kjo bën që politikanet të emërojnë supervizorët e tyre”, shprehet Adela Halo.

I vetmi përjashtim është Avokati i Popullit. Por duke shtuar mungesën e një kuadri ligjor të qartë mbi konfliktin e interesit, për rrjedhojë Shqipëria thuhet në raport nuk njeh asnjë rast kur një zyrtar i lartë të jetë shpallur fajtor për çështje të korrupsionit.

“Dënimet për shpifje janë të vetmet raste ku gjykata ka vepruar edhe kjo kur cështja nisej nga një politikan”, thotë Halo.

Koordinatorja për Europën Juglindore dhe Ballkanin, Cornelia Abel jep rekomandimet kryesore.

“Reforma në Drejtësi duhet të implementohet. Së dyti duhet të ngrihet urgjentisht një komision ‘ad hoc’ për rishikimin e ligjit për konfliktin e interesit sepse është i pa implementueshëm për momentin. Prandaj shohim aq shumë raste të konfliktit të interesit të pandëshkuara. Shqipëria është në rrugën e integrimit në BE. Kjo duhet të ndodhë sepse Shqipëria është pjesë e Europës por duhet të sigurohet që të  zgjedhurit të punojnë për qytetarët dhe jo për veten e tyre, kjo është çështja kyçe dhe sistemi duhet të sigurohet që kjo të ndodhë”, shprehet Cornelia Abel.

Top Channel